Në gjykatën e Apelit Administrative u shqyrtua kërkesa e zyrtarit të Policisë Gentian Ndoi i cili kundërshton mënyrën si u emërua në krye të Byrosë Kombëtare të hetimit Joni Keta.
Seanca u mbaj nga gjyqtarja Altina Nasufi dhe Ndoi i cili kishte konkurruar për drejtimin e BKH kërkoi shfuqizimin e vendimit nr.370, të datës 19.12.2025, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë “Për emërimin e Drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”.
Avokatët e kundërshtuan duke e quajtur akt të paligjshëm, të marrë në kundërshtim me ligjin, të paarsyetuar, pra dhe absolutisht i pavlefshëm.
Në padi Ndoi kërkon shfuqizimin e shkresës dhe raportit të dërguar nga Komisioni i Përzgjedhjes në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, në bazë të së cilit rekomandohej Joni Keta si kandidat për Drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, si akte të marra në kundërshtim me ligjin material dhe procedural dhe akte të paarsyetuara, pra dhe absolutisht të pavlefshme.
Paditësi thotë gjykata e apelit administrativ duhet të detyrojë Komisionin e Përzgjedhjes pranë Prokurorisë së Posaçme të përbërë nga Altin Dumani, Arben Kraja dhe Behar Dibra që të përcjellin për emërim për Drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, kandidatin që ka marrë më shumë pikë në garën e zhvilluar, Gentian Ndoi.
Po ashtu Ndoi kërkon që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të bëjë emërimin si Drejtues të Byrosë Kombëtare të tij dhe për këtë arsye të detyrohet edhe Byroja Kombëtare e Hetimit t’i japë pagën e Drejtuesit te Byrosë nga muaji dhjetor e në vazhdim.
Seanca e radhës do të mbahet në fillim të muajit prill dhe palët e paditura kundërshtuan me argumentin se është diskrecion i SPAK propozimi i kandidatit për drejtimin e BKH dhe diskrecion i KLP votimi.
Top Channel