Nga Endi Tufa*

Është nata para ndeshjes dhe Varshava nuk flet shumë.

Qyteti ecën me ritmin e vet, indiferent ndaj asaj që nesër do të ndodhë në tribunat e stadiumit Narodowy, por jo krejtësisht. Sepse nëse shikon me kujdes, nëse i jep vetes kohë të qëndrosh pak në këmbë dhe të mos nxitosh, i sheh. Janë atje, në çdo hotel të qendrës, si hije me drita të ndezura: makinat e policisë polake, të parkuara me qetësi, pa zhurmë, pa demonstrim force. Vetëm të pranishme. Vetëm duke ruajtur.

Fenelinat e tyre ndizen dhe shuhen ngadalë në errësirën e marsit varshavian si sy që nuk flenë.

Sonte, në Varshavë, shqiptarët janë kryesisht biznesmenë, gazetarë, intelektualë, njerëz që e duan sportin dhe kanë bërë rrugën për të qenë dëshmitarë të diçkaje historike. Nuk janë ultras dhe kjo duket. Nuk dëgjohen këngë nëpër rrugë, nuk ka borie, nuk ka tym. Ka biseda të qeta nëpër hollet e hoteleve, kafe të pira me ngut, telefona celularë të ngritur lart për të kapur sinjalin dhe ndarë emocionin me familjarët në Shqipëri dhe jo vetëm.

Por ata janë këtu. Dhe kjo mjafton.

Ajo që nuk e dija para se të vija, ose ndoshta e dija, por nuk e kisha ndjerë, është pesha e vendimit që ka marrë autoriteti polak për këtë ndeshje. Për herë të parë që nga viti 2012, ultrsit dhe tifozë të ndaluar kanë leje të rikthehen në stadium. Është një vendim që mbart brenda tij të gjitha rreziqet dhe të gjitha simbolikat e tij: dëshira për të besuar se koha ndryshon njerëzit, se edhe tribuna ka nevojë për falje dhe rikthim.

Pikërisht prandaj makinat e policisë nuk janë larg. Pikërisht prandaj fenelinat ndizen e shuhen ngadalë, pa nxitim, pa panik. Është gatishmëri, jo frikë. Është profesionalizëm, jo paranojë.

Unë sillem nëpër qendër dhe mendoj: sa herë Shqipëria ka ardhur deri këtu? Sa herë kombëtarja jonë ka qëndruar në pragun e diçkaje kaq të madhe dhe ka pritur me frymën e ndalur?

Nesër luhet gjysmëfinale e play-off-it të Botërorit. Kundër Polonisë. Në Varshavë. Nën shiun eventual të marsit dhe nën sytë e fenelinat e policisë polake.

Por shqiptarët janë këtu dhe kjo nuk është e vogël, ditën e ndeshjes do të jenë mbi 3,000.

Është nata para ndeshjes dhe Varshava nuk flet shumë.

Por unë flas, sepse kjo është puna ime, dhe sepse ndjej se edhe heshtja e kësaj nate ka diçka për të thënë. Ka tension, po. Ka pasiguri, po. Por ka edhe diçka tjetër, diçka që as policia, as protokolli, as historia e vështirë e këtij stadiumi nuk e shuan dot:

Ka besim. I heshtur, kokëfortë, shqiptar.

*I dërguar special i Top Channel në Varshavë

Top Channel