Lufta në Lindjen e Mesme/ Kompania amerikane prezanton sistemin inteligjent të parashikimit të krizave globale: vendime të shpejta nga qeveritë brenda një kohe të shkurtër

25/03/2026 19:00

Kompania amerikane Jumptuit Aerospace & Defense ka njoftuar prezantimin e një sistemi të ri të inteligjencës artificiale për parashikimin e krizave, në fillim të majit në Uashington.

Teknologjia e quajtur Cross-Sector Motion Analysis (CSMA) përdor një model të avancuar arsyetimi për të analizuar në kohë reale ndikimet zinxhir të ngjarjeve globale.

Konflikti në Gjirin Persik, sidomos në Ngushticën e Hormuzit, ka ndërprerë eksportet e naftës dhe gazit, duke rritur rrezikun për një krizë ekonomike globale që mund të zgjasë gjatë.

Pasojat po ndihen në disa sektorë si bujqësia ku rritje e çmimeve të plehrave, sjell rrezik për ulje prodhimi dhe mungesë ushqimi; teknologjia ku goditje ndihet në prodhimin e mikroçipave dhe zinxhirët e furnizimit dhe ekonomia globale me rritje çmimesh dhe paqëndrueshmëri në tregje.

Sipas Donald Lekës, CEO i kompanisë amerikane, analiza tradicionale nuk mjafton më pasi  bota po kërkon sisteme që përditësohen vazhdimisht për të parashikuar zhvillimet përpara se të ndodhin.

Teknologjia synon të ndihmojë qeveritë dhe bizneset të marrin vendime më të shpejta dhe më të sakta në një realitet gjithnjë e më të ndërlikuar.

Top Channel