Inter, Hakan Calhanoglu zbulon: Prisja Milanin, por më pas Inzaghi më bindi. Më donin edhe Juventus e Barcelona

25/03/2026 16:03

Kushedi si do të kishin ndryshuar ekuilibrat në Serie A në vitet e fundit nëse Hakan Calhanoglu, kur vendosi të lërë Milanin me parametra zero, të kishte zgjedhur një skuadër tjetër dhe jo Interin. Vetë mesfushori turk zbuloi gjithçka në një intervistë për Kafa Sport duke theksuar se në atë kohë kishte shumë opsione.

‘Ishte një hap i vështirë në karrierën time-tregon Calhanoglu-pyesja veten si mund të kalosh nga Milani te Interi?. Agjenti im më tha ta mendoja dhe ta telefonoja të nesërmen për t’i komunikuar vendimin tim. Ditën tjetër u zgjova dhe pranova ofertën e Interit. Ishte totalisht vendimi im. U desh t’i tregoja klubit dhe tifozëve atë që dija të bëja dhe t’i bindja se do të jepja gjithnjë maksimumin. Por sforcot e mia u shpërblyen; tifozët e Interit më dedikuan një kor, më shfaqin një afeksion të veçantë’

Më pas futbollisti turk hyri në detaje përsa i përket prishjes së raporteve me kuqezinjtë. ‘Largimi nga Milan? Pritëm deri në çastet e fundit që Milani të bënte një ofertë për rinovimin, por nuk erdhi kurrë-vijoi Calhanoglu-në këtë pikë agjenti më tha se kishte ardhur një ofertë edhe nga Barcelona, e madje edhe Juventus ishte interesuar. Por më pas në fund erdhi Interi, Inzaghi na telefononte vazhdimisht, më la të kuptoja se më donte shumë në skuadrën e tij’.

Inzaghi, siç e pranoi vetë Calhanoglu ka pasur një rol thelbësor në kalimin e tij të zikaltrit e madje ka qenë pikërisht trajneri që e shndërroi në një organizator.

‘Kur erdha te Interi, në atë pozicion luante Brozovic dhe shpesh luanim së bashku-vijon Calhanoglu-ai organizator, unë si gjysmësulmues krahu. Më pas Brozovic u largua dhe trajneri po mendonte si të sistemonte sërish atë pozicion dhe me tha se donte të më provonte atje.Unë pranova seose pozicioni nuk ishte shumë ndryshe nga ai që kam pasur gjithmonë dhe më pëlqen ta vë veten në provë. Do largohesha pak nga zona kundërshtare, por do të kisha më shumë kontroll në lojë. Ky rol më pëlqen sepse ndihmoj shumë skuadrën është një ndërthurje mes detyrave mbrojtëse dhe atyre sulmuese. Tani loja ime ka ndryshuar’

Por tani në pankinë është Chivu dhe Calhanoglu tregon diferencat me Inzaghin.

‘Ka stërvitur skuadrën Primavera më parë-shtoi Calhanoglu-ndonjëherë bënim ndeshje stërvitore me skuadrën e tij. Kur nisi të punojë me ne, grupi e pranoi menjëherë. Chivu ka një të kaluar si futbollist i Interit dhe kjo padyshim ka qenë një avantazh; e njihte ambientin. Diferencat me Inzaghin? Janë dy trajnerë me filozofi të ndryshme; Chivu iu jep të gjithëve mundësinë, edhe atyre më të rinjve, me Inzaghin gjërat ishin ndryshe’.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB