Inside Story/ Luftë që nuk kursen askënd, tritol grave të të fortëve të Vlorës dhe zhdukje mafioze…
Episodi i dytë për të cilin akuzohen në dosjen e SPAK Inez Hajrulla dhe Ervis Matodashaj lidhet me vrasjen e Bledar Birçajt, më 10 maj 2021, në Vlorë.
40-vjeçari ishte duke udhëtuar me makinën e tij, një BMW X5, kur një breshëri plumbash e goditi pa mëshirë.
Nga pamjet filmike, hetuesit arritën të rindërtonin rrugëtimin e viktimës dhe të autorëve. Birçaj lëvizte nga bar “The Boss”, shëtitorja “Lungomare”, rruga “Pelivan Leskaj”, deri tek unaza e qytetit. Siç shihet në video, në orën 12:59, teksa ndodhej pranë një karburanti, automjeti i Birçajt u qëllua me breshëri.
Më pas, dy autorët u larguan drejt Kaninës e më pas humbën gjurmët në fshatin Armen. Në vendngjarje u gjetën 29 gëzhoja model 56, një dëshmi e qartë e agresivitetit.
“Nëse gjatë komunikimit nënkuptohet që është përgatitur kryerja e një atentati, sigurisht kjo do t’i çojë institucionet që merren me hetimin, pra policinë gjyqësore apo prokurorinë, në radhë të parë duhet të verifikojnë nëse ka ndodhur ajo ngjarje, në një datë të caktuar, në një vend të caktuar. Duhet nëse kjo ngjarje është raportuar në polici, nëse ka nisur një çështje penale pa autorë, për ngjarjen konkrete, ose deri ku kanë shkuar hetimet në lidhje me atë ngjarje”, u shpreh ish-prokurori, Gentian Ternova.
“Nga përgjimet e SKY, duke pasur parasysh rolin e gjithkujt dhe njerëzit, është çmuar që jemi përpara një grupi të strukturuar kriminal dhe është proceduar me nenin 28 të Kodit Penal, që është grup i strukturuar kriminal, por sigurimi i krijimit të kushteve për të kryer vrasje është trajtuar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal”, u shpreh ish-prokurori, Ervin Karanxha.
Sipas SPAK, Inez Hajrulla dhe Ervis Matodashaj kanë siguruar kushtet duke mbledhur informacione dhe duke monitoruar vazhdimisht objektivin. Madje, ata kishin instaluar vetë sistemet e mbikëqyrjes, duke monitoruar çdo lëvizje të Birçajt.
Si zakonisht, edhe në këtë ngjarje në sfond shfaqet ajo çka është parë shpesh vitet e fundit në ngjarje kriminale, lidhjet me njerëzit me uniformë. Në makinën e Birçajt ndodhej efektivi i policisë Granit Deromema, i cili më pas u përjashtua nga radhët e Policisë së Shtetit, duke ngjallur pyetje mbi infiltrimin e krimit brenda institucioneve.
“Kuptohet që për punonjësin e policisë, në momentin e angazhimit të një grupi kriminal, e bëjnë edhe më të vështirë, qoftë për policinë, qoftë për strukturat e hetimit, për strukturat e posaçme për zbardhjen e disa dinamikave, pasi ata dinë ose kanë njohuri për shkak të profesionit për lëvizjet, për mënyrat sesi operojnë organet e hetimit, u kanë dhënë informacione shumë të vlefshme grupeve kriminale dhe kjo ka qenë një nga arsyet kryesore se pse ato i kanë përfshirë brenda këtyre strukturave”, u shpreh Redi Ramaj, avokat.
“Përfitimet që kanë grupet e strukturuara është informacioni, që është një thesar për ta për t’iu shmangur hetimit penal, për të shmangur kapjen e trafikimit të narkotikëve që ato transportojnë, për të marrë informacion për kundërshtarët e tyre, për të marrë masa mbrojtëse që mund të bëjë Policia e Shtetit, apo qoftë BKH apo Prokuroria e Posaçme”, u shpreh Alban Qafa, avokat.
Hetimet hedhin dritë mbi lëvizjet dhe lidhjet e viktimës jashtë vendit, duke treguar se ai kishte hyrë në Shqipëri në shkurt të vitit 2021, pas një qëndrimi në Belgjikë dhe Spanjë, ku dyshohet se ishte përfshirë në aktivitete kriminale, përfshirë grabitje të lëndëve narkotike me dhunë. Kjo zbulohet në një raport konfidencial policor të siguruar nga Inside Story.
Viktima ka hyrë në vendin tonë në datë 13.02.2021 nga Muriqani, ku sipas të dhënave ka qëndruar në Belgjikë dhe Spanjë. Është i njohur si lidhje shoqërore e shtetasve Sokol dhe Spiro Sinomataj, që ushtrojnë aktivitet kriminal në Belgjikë. Ka të dhëna se ka qenë i përfshirë në grabitje narkotikesh.
Në këtë kontekst, hetuesit evidentojnë edhe afrimitetin e tij me Sokol dhe Spiro Sinomataj, dy emra të njohur për aktivitet kriminal në Belgjikë. Një lidhje që, sipas dyshimeve, nuk ishte thjesht shoqërore, por pjesë e një rrjeti më të gjerë kriminal. Sokol Sinomataj, i njohur me nofkën “buzëderri”, dikur shërbente si anëtar i bandës së Gaxhait.
Pikërisht këtu, hetimet ngrenë një pistë tjetër të rëndësishme: konfliktet e mundshme mes këtij rrethi dhe grupit të Inez Hajrullës, duke e vendosur vrasjen jo vetëm në kuadrin e një hakmarrjeje për drogën, por si pjesë të një përplasjeje më të gjerë mes grupeve kriminale që vepronin brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Një tjetër detaj nga të dhënat që autoritetet ligjzbatuese disponojnë është fakti se Birçaj, së bashku me shtetasin Delon Troqe dhe persona të tjerë, kanë grabitur një sasi lënde narkotike në Spanjë.
Vetëm 10 ditë pas vrasjes së Bledar Birçajt, eliminohet edhe Delon Troqe, thuajse në të njëjtën dinamikë, një ngjarje e cila mbetet ende e pazbardhur.
Mbrëmjen e 21 majit 2021, rreth orës 21:50, në lagjen “Pavarësia”, pranë pallatit të sportit “Flamurtari”, Delon Troqe, i sapokthyer nga Spanja, qëllohet me breshëri automatiku në derën e servisit të tij.
15 plumba u derdhën drejt tij. Dy vrasje brenda pak ditësh. Dy objektiva me një të përbashkët të fortë: rikthimin nga Spanja.
Një zinxhir eliminimesh që sugjeron se lufta nuk po zhvillohet vetëm në rrugët e Vlorës… por ka nisur shumë më herët, jashtë kufijve të saj.
Top Channel