Inside Story/ Luftë që nuk kursen askënd, tritol grave të të fortëve të Vlorës dhe zhdukje mafioze…
Sipas SPAK, hetimet kanë dokumentuar vrasjen e Gentjan Qarrit, të kryer nga anëtarë të këtij grupi kriminal në qytetin e Vlorës më 6 shkurt 2021, si dhe sigurimin e kushteve për vrasjen e shtetasit Bledar Birçaj më 10 maj 2021.
Të hetuarit Inez Hajrulla dhe Ervis Matodashaj, në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të grupit të strukturuar kriminal, kanë organizuar, ndërvepruar dhe koordinuar në kohë reale me ekzekutorët, me qëllim realizimin e vrasjes së Gentjan Qarrit, dhe kanë dhënë udhëzime operative që kishin të bënin me monitorimin e viktimës, sigurimin e automjeteve dhe kryerjen e vrasjes, fshehjen e autorëve dhe djegien e automjetit me të cilin janë larguar autorët.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, pas vrasjes së Qarrit janë Inez Hajrulla dhe Ervis Matodashaj, dy emra që nuk qëllonin vetë, por kontrollonin çdo detaj nga larg, duke komunikuar në kohë reale me dorasit.
Pas atentatit, kur konfirmohet vdekja, mesazhi i shkëmbyer mes “Init të Oslos” dhe Matodashajt është fraza: “Minus 1”, pra, 1 kundërshtar i eliminuar.
Të gjitha u zbërthen nga zbardhja e platformës SKY EÇ. Nga bisedat e tyre, që më pas u kryqëzuan me dosjen e themelit, hetuesit arritën të rindërtonin të gjithë ngjarjen nga planifikimi te ekzekutimi.
“Kryqëzimi i këtyre provave çon në pasjen e një çështjeje për Prokurorinë e Posaçme dhe përsa i përket grupeve kriminale, të cilat operojnë apo dihet që operojnë, por ka qenë e vështirë të zbardhen ngjarje të ndryshme për shkak të mungesës së këtyre provave dhe lidhjes konkrete që ka pasur me ngjarje të caktuara,” u shpreh avokati Redi Ramaj.
“Vetëm me SKY EÇ, pa e lidhur me prova të tjera, mund të shërbejë si bazë për nisjen e një hetimi, sepse ke një version hetimor, p.sh., ka ndodhur vrasja, ti mos kesh shumë versione, përjashton të tjerat dhe mbledh prova për rastin konkret. SKY ka dhënë një ndihmë shumë, shumë të madhe për zbulimin e ngjarjeve kriminale. Por, theksoj që duhet të lidhet me prova të tjera; pa prova të tjera, çështja është e dobët,” u shpreh ish-prokurori, Ervin Karanxha.
Gentjan Qarri ishte kushëriri i Fatmir Hysenit, i njohur me nofkën “Doqja”. Ai është një emër i njohur në botën e krimit, i dyshuar për përfshirje në disa ngjarje kriminale të rënda, mes tyre edhe në atentatin ndaj Inez Hajrullës në vitin 2019. Por, ato që nuk arrinin t’i zbardhnin institucionet hetimore, i zbulonin vetë njerëzit e asaj bote që i zgjidhnin konfliktet mes tyre me të njëjtën formë: hakmarrje.
“Faktikisht, ai element i cili ka dokumentuar realisht mënyrën se si funksionojnë dhe se si janë të organizuar grupet kriminale në Shqipëri ka qenë zbërthimi i SKY EÇ. Aty kemi parë sesi janë të organizuara, sesi funksionojnë dhe çfarë bashkëpunimi kanë, çfarë qëllimesh kanë pasur mes njëri-tjetrit,” u shpreh Faik Basha, ekspert sigurie.
“Kjo veprimtari e këtyre personave që kanë komunikuar ka vazhduar me ngjarje të tjera, dhe për të provuar apo për të dhënë një provë plus në ekzistencën e një grupi kriminal, pra që ky grup ka ekzistuar jo vetëm për një veprim të caktuar, por ka qenë një grup që ka qenë në një kohë të caktuar për kryerjen e disa veprave penale,” u shpreh ish-prokurori, Gentian Ternova.
Top Channel