Inside Story/ 500 mijë euro nga Dubai për eliminimin e “Sakatit” dhe “Qorrit”, bandat e Vlorës në luftë edhe për kumarin?
Ngjarjet tregonin një cikël të gjatë hakmarrjesh dhe rivalitetesh mes klaneve të Vlorës, ku secili incident ushqente tensionin për atentatet e radhës.
Në qershor të vitit 2020, sulmet ndaj familjes së Armando Sulejmanit u shtrinë edhe tek motra e tij, Etleva Elmazi. Në makinën e saj “BMW X3” u gjet një pako me tritol, që policia arriti ta neutralizonte.
Sulmi dyshohet të ketë qenë hakmarrje ndaj vëllait të saj dhe lidhet me historikun kriminal të familjes.
Etleva është edhe nëna e Daut Elmazit, i cili u arrestua si bashkëpunëtor në atentatin kundër Inez Hajrullës më 10 maj 2019….
“Përsa i përket grupit që është goditur së fundmi, është një grup që ka pasur kundërshtarë të fortë, brenda qytetit të Vlorës. Ka qenë një grup që është goditur edhe vetë drejtuesi” u shpreh Alban Qafa, avokat.
Përplasjet mes këtyre grupeve treguan se hakmarrja në Vlorë nuk njeh kufij. Një paralajmërim i dhënë me shpërthimin ndaj Bernard Sinomatajt më 3 janar 2022, tregoi se çdo lëvizje e familjes Sinomataj monitorohej me kujdes.
Pasditen e 3 janarit, një shpërthim tritoli tronditi lagjen pranë Poliklinikës. Lënda plasëse ishte vendosur poshtë makinës së Bernard Sinomatajt, vëllait të Sokol Sinomatajt, që atë kohë ndodhej jashtë vendit.
Automjeti, me targa AA 151 MJ, në dukje i një gruaje, në fakt përdorej nga Bernardi. Ngjarja ishte mesazh i qartë për familjen Sinomataj: askush nuk u dëmua, por ai paralajmërim do të kthehej më vonë në një vrasje të ftohtë dhe të planifikuar.
“Problematikat e vrasjeve që kanë ndodhur në 97-tën, rikthen në një farë forme, ose pozicionohen këto grupe kriminale që të mbajnë një anë të caktuar për shkak të këtyre ngjarjeve dhe në çdo rast të paktën në Vlorë, ku dihet që plagët e vrasjeve kanë qenë shumë të mëdha” u shpreh Redi Ramaj, avokat.
Dy vite më pas, më 7 janar 2024, Gëzim Sinomataj, 22-vjeç, djali i vetëm i Sokol Sinomatajt, i njohur si “Buzëderri”, do të ekzekutohej në ballkonin e banesës me snajper.
Një makinë “BMW” qëndroi e parkuar pranë, duke vëzhguar drejt ballkonit të apartamentit. Kur Gëzim doli për të pirë cigare, atentatori profesionist shkeli këmbëzën.
Një plumb 7-milimetër goditi në kokë të riun që humbi jetën në vend. Ky atentat ishte dëshmi e profesionalizmit të lartë kriminal dhe hakmarrjes së ftohtë.
Paralajmërimet dhe atentatet vazhdonin, duke prekur tani familjarët e kundërshtarëve: më 8 dhjetor 2024, një sasi tritoli shpërtheu në lokal në pronësi të familjes Birçaj, që kishte humbur në atentat djalin, Bledarin, ngjarje që zbërthyem pak më sipër.
“Sigurisht këtu është e mpleksur jo vetëm veprimtaria kriminale, në trafikun e drogës apo lëndëve narkotike apo veprimtarive kriminale fitimprurëse, por është e mpleksur edhe me historitë e hakmarrjes apo gjakmarrjes brenda vet grupeve kriminale me njëra-tjetrën.” u shpreh Gentian Ternova, ish-prokuror.
Autori, i vendosjes së tritolit, 28-vjeçari Beqir Selamaj, i arrestuar pak ditë më pas, nuk pranoi të tregonte se kush e kishte porositur sulmin.
Pak ditë më vonë, më 18 dhjetor 2024, Kevin Hajrulla u qëllua me breshëri armësh në lagjen “24 Maji” të Vlorës, një atentat që hetuesit e shohin si paralajmërim për Inez Hajrullën, që kishte shpëtuar më parë ndaj dy tentativave ekzekutimi.
Pas atentatit ndaj kushëririt të Inez Hajrullës në Vlorë, kundrapërgjigja nuk vonoi….
Konflikti u transferua në kryeqytet. Një sulm i sofistikuar nga krimi i organizuar, ku objektiv ishte Bernard Sinomataj.
Më 21 dhjetor 2024, një dron hodhi tritol mbi një apartament në rrugën “Sadik Petrela”. Shpërthimi ishte i menjëhershëm dhe i fuqishëm; por fatmirësisht pa të lënduar.
Banesa ishte marrë me qira nga shtetasja E. A., e cila jetonte aty me Bernardin, por kur oficerët mbërritën, të dy nuk ndodheshin aty. Ata u larguan menjëherë pa ofruar bashkëpunim në zbardhjen e krimit.
Pra, një lëvizje që instancat ligjzbatuese e konsiderojnë si mesazh se objektivi i atentatit kërkon të përgjigjet me të njëjtën formë: vetëgjyqësinë…
“Hakmarrjet kanë ekzistuar dhe kanë pasur pasoja të rënda. Ajo që mund të shikojmë nga hakmarrja, fenomeni tjetër që është pas hakmarrjes, është edhe largimi. Shumë nga grupet kriminale, edhe sot pas daljes së informacioneve nga SKY, që u zbërthye, por edhe për shkak të përplasjeve që erdhën më vonë, një pjesë e mirë e grupeve kriminale kanë preferuar ta kryejnë aktivitetin e tyre jashtë Shqipërisë” u shpreh Faik Basha, ekspert sigurie.
“Konfliktet e sotme janë konflikte që lidhen për shkak të kontrollit të territorit në qytetin e Vlorës, që është një pikë strategjike për trafikun, kryesisht të hashashit që shkonte përtej detit në Itali, dhe për konfliktet që kanë lindur për shkak të transportit apo importit dhe shpërndarjes së kokainës në Rotherham, Anvers dhe Spanjë” u shpreh Alban Qafa, avokat.
Përplasjet brutale mes bandave në Vlorë sollën edhe dy zhdukje që tronditën mbarë opinionin.
Në vitin 2018 u zhdukën Albano Xhaferraj dhe shoku i tij Ervis Troqe, dy figura që do të mbeteshin në hije misterioze, ndërsa lidhja e tyre me përplasjet mes grupeve kriminale ngrihej si një pyetje e pazgjidhur.
Këtij të fundit, Ervis Troqes, në vitin 2021 i ekzekutuan edhe kushëririn, Delon Troqe, një ngjarje për të cilën folëm pak më sipër.
Gazmend Merkaj, pjesëtar i grupit, u vetdorëzua në polici dhe deklaroi përpara bluve se rrëmbimi i Albano Xhaferrajt u krye për llogari të të ndjerit Edison Harizaj.
Top Channel