“Ecuri pozitive e ekonomisë shqiptare”/ Guvernatori Gent Sejko: Inflacioni mbetet në nivele të ulëta, lufta solli rritje të fortë të çmimit të naftës

25/03/2026 17:05

Ekonomia shqiptare vijon të ecë me ritme pozitive, deri në tremujorin e parë të 2026-ës, por konflikti në Lindjen e Mesme mund ta ekspozojë atë ndaj rreziqeve.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko paralajmëroi se lufta është një burim ekstrem rreziku për ekonominë botërore dhe ate shqiptare. Aktualisht, konflikti në Lindjen e Mesme ka goditur çmimin e karburanteve në mbarë botën, duke prekur edhe Shqipërinë.

Pavarësisht rreziqeve gjeopolitike, ekonomia shqiptare ka performuar mirë deri më tani dhe parashikohet të ecë me këtë trend edhe përgjatë dy vitet e ardhshme. Banka e Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në vlerën e 2.5%, ndërsa njoftoi monitorim të situatës në vazhdimësi.

Fjala e plotë e guvernatorit Sejko:

Sot, në datën 25 mars 2026, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Politikës Monetare.

Informacioni i marrë në analizë sugjeron një ecuri pozitive të ekonomisë shqiptare deri në tremujorin e parë të vitit 2026. Vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat në sektorin privat jo-bujqësor kanë ardhur në rritje, inflacioni mbetet në nivele të ulëta, ndërsa tregjet financiare shfaqen të qeta dhe kredia për sektorin privat vijon të shënojë rritje solide e të qëndrueshme.

Në këtë ecuri, një kontribut pozitiv ka pasur edhe politika monetare e Bankës së Shqipërisë. Reagimi në kohë dhe konsistent i saj, ka mundësuar funksionimin normal të tregjeve financiare dhe ka krijuar kushte monetare të përshtatshme për kthimin e inflacionit në objektiv.

Në skenarin bazë, trendet e zhvillimit të vendit pritet të mbeten pozitive edhe në të ardhmen. Ekonomia shqiptare pritet të rritet me ritme solide rritjeje gjatë dy viteve në vazhdim, ndërsa inflacioni pritet të kthehet në objektiv gjatë vitit 2026. Megjithatë, konflikti në Lindjen e Mesme përbën një burim të rëndësishëm rreziku për ecurinë e ekonomisë botërore dhe asaj shqiptare në të ardhmen, rrezik i cili është i vështirë të vlerësohet me një shkallë të pranueshme sigurie në momentin aktual.

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar qëndrimin e politikës monetare, duke rritur njëkohësisht vigjilencën ndaj zhvillimeve dinamike në ambientin botëror.

Më lejoni t’ju ofroj, në vijim, një pasqyrë më të detajuar të opinionit tonë mbi zhvillimet ekonomike e financiare, si dhe të detajoj vendimin e politikës monetare dhe arsyet që e motivuan atë.

Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një nivel mesatar prej 2.4% në dy muajt e parë të vitit 2026, duke regjistruar një rritje të lehtë kundrejt tremujorit paraardhës. Kjo ecuri ishte në përputhje me pritjet tona. Ajo u diktua nga rritja e çmimeve të qirave, të disa artikujve ushqimorë, të disa artikujve të shërbimeve, si dhe stabilizimi në nivel vjetor i çmimit të energjisë elektrike për familjet.

Në aspektin makroekonomik, ecuria ende nën objektiv e inflacionit vijon të pasqyrojë nivelet e ulëta të inflacionit të importuar dhe pasojat e goditjeve pozitive të ofertës gjatë vitit 2025. Rënia e presioneve të huaja është ndikuar nga ecuria e inflacionit në partnerët tanë tregtarë dhe nga forcimi i kursit të këmbimit të lekut. Nga ana tjetër, presionet e brendshme mbi inflacionin kanë ardhur në rritje gjatë muajve të fundit, sikundër dëshmohet nga ecuria e inflacionit bazë dhe e atij të brendshëm. Megjithatë, kjo rritje duket se është përqendruar në segmentin e çmimit të qirave. Duke përjashtuar efektin e tyre, trendet afatmesme të çmimeve mbeten në linjë me objektivin tonë të inflacionit, si pasojë e ecurisë së qëndrueshme të kostove të punës, të marzheve të fitimit dhe të pritjeve për inflacionin.

Sipas të dhënave të Instat-it dhe projeksioneve tona, vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend vlerësohet të jetë rritur rreth nivelit 3.7% gjatë vitit të shkuar. Zgjerimi i aktivitetit u mbështet nga rritja e konsumit familjar, e investimeve të sektorit privat, dhe e eksportit të shërbimeve. Nga ana tjetër, politika fiskale ka vijuar të shfaqë një natyrë konsoliduese ndërsa eksporti i mallrave ka shënuar rënie. Ky profil kërkese ka nxitur zgjerimin e sektorëve të shërbimeve e të ndërtimit, ndërsa sektori i bujqësisë dhe ai i industrisë kanë vijuar të tkurren. Informacioni i tërthortë i disponuar sugjeron për ritme dhe strukturë të ngjashme rritjeje edhe gjatë tremujorit të parë të këtij viti.

Rritja e kërkesës për mallra e shërbime është pasqyruar edhe në tregun e punës. Punësimi në sektorin privat jo-bujqësor u rrit me 5.6% gjatë vitit 2025, paga mesatare u rrit me 8.5%, ndërsa norma e papunësisë në fund të vitit qëndroi në një nivel të ulët historik prej 8.3%. Rritja e shpejtë e pagave nuk është përcjellë e plotë në rritje të çmimeve, si pasojë e absorbimit të saj nga rritja e produktivitetit dhe reduktimi i marzhit të fitimit të bizneseve. Megjithatë, kërkesa e lartë për punë nga bizneset dhe mungesa e ofertës vijojnë ta mbajnë tregun e punës nën tension.

Në këndvështrimin makroekonomik, rritja ekonomike vijon të mbështetet nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, besimi i familjeve dhe bizneseve për të ardhmen, zgjerimi i të ardhurave nga turizmi, si dhe kushtet e favorshme të financimit.

Politika e kujdesshme monetare e Bankës së Shqipërisë ka pasur një rol esencial në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, duke ndihmuar kontrollin e pritjeve për inflacionin dhe duke kontribuuar në përmirësimin e kushteve të financimit. Më konkretisht, lehtësimi i qëndrimit të politikës monetare gjatë vitit 2025 solli një ulje të mëtejshme të normave të interesit të kredive dhe u pasqyrua në një rritje të qëndrueshme e të shpejtë të saj. Po ashtu, prezenca e shtuar e Bankës së Shqipërisë në tregun e brendshëm valutor tërhoqi një pjese të ofertës së shtuar të valutës, duke mundësuar një nivel më të qëndrueshëm të kursit të këmbimit.

Për rrjedhojë, tregjet financiare vijojnë të karakterizohen nga likuiditet i bollshëm, norma të ulëta interesi, bilance të shëndosha të sektorit bankar, si dhe një përqasje pozitive ndaj kreditimit.

Kushtet e favorshme të financimit janë pasqyruar në zgjerimin e shpejtë dhe me bazë të gjerë të kredisë për sektorin privat. Portofoli i kredisë shënoi një rritje vjetore prej pothuaj 14% gjatë dy muajve të parë të vitit 2026, duke vijuar të shfaqë tregues të mirë cilësie, përqendrim të rritur në lekë, si dhe duke mbetur e orientuar drejt financimit të projekteve të investimit të bizneseve dhe blerjes së banesave për familjet. Rritja e kredisë bankare ka vijuar të mbështesë zgjerimin e konsumit dhe të investimeve të sektorit privat, si dhe ka mbuluar nevojat e përkohshme të tyre për likuiditet, duke dhënë në këtë mënyrë një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike.

Në tërësi, zhvillimet ekonomike, monetare dhe financiare të muajve të fundit kanë qenë në linjë me pritjet tona dhe sugjerojnë se ekonomia shqiptare vijon të qëndrojë në një trend pozitiv zhvillimi. Për rrjedhojë, në mungesë të goditjeve të forta të ofertës, parashikimet tona të skenarit bazë tregojnë se inflacioni do të kthehet gradualisht në objektiv gjatë vitit 2026. Po ashtu, aktiviteti ekonomik pritet të vijojë të rritet me ritme solide gjatë viteve në vijim, i nxitur nga zgjerimi i mëtejshëm i konsumit, investimeve dhe eksportit të turizmit, dhe të mundësojë një rritje të mëtejshme të punësimit e të pagave.

Megjithatë, konflikti ushtarak dhe tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme janë një burim ekstrem rreziku dhe pasigurie mbi ekonominë botërore dhe atë shqiptare. Ky konflikt ka sjellë një rritje të shpejtë e të fortë të çmimit të naftës dhe të produkteve të tjera energjitike në tregjet botërore. Kohëzgjatja, intensiteti dhe kanalet indirekte të transmetimit të kësaj goditjeje në ekonominë shqiptare janë të vështira për tu vlerësuar me një shkallë të pranueshme sigurie. Gjithsesi, zgjatja në kohë dhe rritja e intensitetit të këtij konflikti, mund ta shndërrojnë atë në një goditje serioze oferte, të krahasueshme me atë që pasoi fillimin e luftës në Ukrainë gjatë vitit 2022. Në ngjashmëri me këtë episod, kjo goditje do të kishte pasoja negative në inflacion dhe në rritjen ekonomike të vendit në të ardhmen.

Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.5%;
të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.5%;
të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.5%.
Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për momentin. Së pari, ky qëndrim mundëson përmbushjen e parashikimeve të skenarit bazë, duke i ofruar ekonomisë shqiptare, në mungesë të goditjeve të forta të ofertës, kushte të përshtatshme monetare për kthimin e inflacionit në objektiv. Së dyti, ky qëndrim adreson pasigurinë e lartë aktuale mbi ecurinë e ekonomisë dhe të inflacionit në të ardhmen. Në ngjashmëri me reagimin e bankave të tjera qendrore, ai mundëson më shumë kohë për monitorimin e ecurisë së çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare dhe për vlerësimin e impaktit të tyre në vend.

Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës vërejti se materializimi i goditjeve të ofertës do të kërkojë masa të kujdesshme monetare e fiskale. Këto masa duhet të prioritizojnë ruajtjen e stabilitetit ekonomik e financiar të vendit dhe mbrojtjen e segmenteve më vulnerabël të ekonomisë e shoqërisë. Sa më sipër, reagimi i politikës monetare do të vijojë të orientohet, në çdo rast, drejt respektimit të objektivit të stabilitetit të çmimeve, duke u kujdesur që goditja e ofertës të mos shndërrohet në presione të qëndrueshme dhe afatgjata inflacioniste.

Këshilli Mbikëqyrës do monitorojë me kujdes e në vazhdimësi situatën. Bazuar në të dhënat e reja, ai mbetet i gatshëm të reagojë në kohën, kahun dhe me forcën e duhur, ndaj çdo rreziku material mbi stabilitetin e çmimeve”. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB