Çfarë gabimi bën Reali i Madrid-it, Mbappe bën rezonancën e gjurit të gabuar, mjeku pushohet nga puna
Gianni De Biasi është një trajner që ka bërë histori. Një trajner me eksperiencë, karizmatik, grintoz, i aftë të realizojë arritje unike, siç është kualifikimi historik për në Euro 2016 me kombëtaren shqiptare.
De Biasi diti të transformojë ëndrrat kolektive në realitete të prekshëm, duke e çuar skuadrën kuqezi aty ku nuk kishte qenë kurrë më parë duke krijuar një precedent të jashtëzakonshëm për Shqipërinë dhe njëkohësisht duke iu mësuar kombeve të tërë artin e qëndrueshmërisë. Ish trajneri i Kombëtares, është rrëfyer në një intervistë për portalin italian fanpage.it duke folur për shumë tema.
Mister, në një playoff botërori sa vlerë ka taktika dhe sa, kapaciteti për të mos u mposhtur nga pesha e fanelës së kaltër?
‘Le te themi që të dyja kanë rëndësi. Sigurisht, në fillim janë personat që përbëjnë skuadrën dhe janë ata që bëjnë diferencën si në aspektin e personalitetit, të cilësisë teknike dhe të asaj që i japin skuadrës. Mendoj se një qasje e mirë në këtë takim vendimtar ndihmon të përballosh këtë ndeshje në mënyrën më të mirë. Duke nisur të mendosh për një të ardhme ‘të kaltër’ dhe të ndritur do të jetë me e lehtë të arrish objektivat’.
Italia shpesh shkon në këto takime e lodhur ose me tepër pritshmëri. Nëse sot do të ishe në dhomat e zhveshjes, cila do të ishte fjala e parë që do të shkruaje në tabelë për të rifreskuar mendjen e lojtarëve?
‘Përpara se të shkoj te ai diskutim, janë të tjera gjëra që duhen bërë. Ka kontrata morale për t’i vënë në zbatim me futbollistë të ndryshëm që përbëjnë skuadrën, ata që unë mendoj se mund të jenë më të përshtatshëm për të arritur objektivin. Besoj se ky është aspekti i rëndësishëm sepse nuk shërben për asgjë ai mesazhi i fundit në tabelë. Ajo që duhet bërë është që dita ditës të injektosh konceptet e lojës si skuadër, pra; objektivat, komunikimi, bashkëpunimi, menaxhimi i konflikteve dhe përgjegjësitë e ndara. Pjesa tjetër janë vetëm fjalë me të cilat bota është plot.
A është e drejtë që një trajner si Gattuso është vënë në këtë situatë, ndoshta përpara kohe sic mund të thonë disa?
‘Gennaro është një djalë autentik, që ka fituar eksperiencë gjatë këtyre viteve. Tani përballet me sfidën, ai dhe stafi i tij dhe është një sfidë pa apel. Stafi, përvec Riccio, besoj se e ka përherë të parë që punojnë së bashku dhe shpresojmë që gjithçka të funksionojë më së miri. Në fund të fundit, në vështirësi duhet të kërkosh të japësh më të mirën tënde’.
Çfarë mendon për të?
‘Gattuso, në radhë të parë, ka një përgjegjësi të madhe mbi shpatulla. Është një trajner që ka fituar përvojë edhe pse në disa rrethana nuk ka qenë me fat, por e ka përjetuar me krenari duke nxjerrë në pah edhe të gjithë kokëfortësinë e tij kalabreze’.
E prisje ta shihje trajner të kombëtares italiane?
‘Sinqerisht, Gattuso ishte i pranueshëm. Sepse është një personalitet që e ka përjetuar atë ambient, i njeh dinamikat rreth kombëtares është një mundësi që nuk të ndodh shpesh, kështu që ai e kapi në ajër’.
Edhe ti ke qenë pranë pankinës së Italisë
‘Po, isha i bindur se do të isha unë trajneri i kombëtares në 2016. Por pastaj, në mënyrë të papritur ma kaloi Ventura me të cilin kam përjetuar disa momente të këndshme në tryezë’
Çfarë ndodhi?
‘Pata disa takime telefonike dhe personale me Federatën Italiane që donte të gjente një pasues të Antonio Contes i cili kishte deklaruar se pas Evropianit të Francës do të shkonte te Chelsea. Ndërsa unë nuk doja bujë rreth kësaj situate, sepse nëse do të shkoja në Evropian si trajner në largim, do të humbisja shumë në sytë e futbollistëve të mi. Për këtë arsye, shpeshherë ngrija një mur mbrojtës që gjithçka të mbetej në privatësi. Por, pastaj në mënyrë të papritur zgjodhën dhe zyrtarizuan Venturën që ishte çliruar nga çdo detyrim me Torinon. Sidoqoftë ky episod më ka bërë të ndihem keq dhe i mbylla kontaktet’
Pasi ke punuar në Itali, Spanjë, Azerbajxhan dhe Shqipëri, si e sheh Italinë nga jashtë? A jemi ende universiteti i futbollit apo e kemi humbur magjinë e formimit të liderëve karizmatikë?
‘Jo, nuk besoj se jemi më universiteti i futbollit. Besoj se duhet të përshtatemi pak me ato që janë lëvizje të tjera futbollistike, atë spanjoll në radhë të parë që edhe në aspektin e trajnerëve po dërgon shumë nëpër botë duke e rritur të gjithë lëvizjen’.
Cili është leksioni më i madh që futbolli ndërkombëtar të ka mësuar dhe që do të doje t’ia transmetoje një trajneri të ri si Gattuso që përballet me një situatë të tillë?
‘Janë gjërat e vogla që bëjnë diferencën. është e nevojshme që të ndiqen në mënyrë të vazhdueshme 35-40 futbollistët që i ke vënë nën lupë dhe më të cilët kërkon të mbash kontakte sikur të ishe trajneri i klubeve të tyre. Janë detaje që bëjnë diferencën dhe më pas sigurisht që ka kontrata morale që ti lidh me futbollistet sa herë që i takon dhe iu sqaron atë që do të doje prej tyre, cfarë do të doje që ata të japin në fushë dhe cfarë raporti pret mes tyre në grup’
Çfarë mendon për Bastonin të grumbulluar në Kombëtare pas polemikave të Inter-Juventus?
‘Nëse për mendimin tim një futbollist është i rëndësishëm në aspektin teknik dhe fizik, e grumbull dhe e mbroj dhe përpiqem ta kuptoj, të flasim së bashku, t’i bëj të kuptojë se askush nuk është perfekt dhe se në jetë ndonjëherë mund të gabosh, por që mund të mësojë nga gabimet e tij. Kjo eksperiencë negative për të besoj se mund ta rrisë’.
A ka një moment në karrierën tënde ku ke kuptuar se futbolli nuk është vetëm një lojë, por një instrument për rilindje sociale? Mendoj për Shqipërinë, por ndoshta është një episod privat që e ruan.
‘Gjithnjë e kam kuptuar se futbolli është diçka ndryshe nga një lojë normale. Loja e fëmijërisë simë u shndërrua në profesionin tim, fillimisht si futbollist e më pas si trajner. Në futboll duhet të marrësh çdo gjë seriozishr nuk mund të harrosh asnjë aspekt as në këndvështrimin e gjendjes fizike dhe as në atë të përgatitjes mentale. Është një sport që në momentin që e kupton se ka ardhur te ti, ai është momenti kur ti nis një rrugëtim pa kthim’.
Nëse do të ktheheshe pas në kohë dhe t’i jepje një këshillë Gianni De Biasit që debutonte në pankinën e Bassanos në 1990, çfarë do t’i thoje?
‘Që të mos refuzojë kur bëjnë oferta të parefuzueshme
Për shembull?
Nëse do të doja të kisha një rrugë të hapur në botën e futbollit, mjaftonte të hyja në një agjenci të njohur agjentësh. Nuk kam qenë kurrë në asnjë agjeënci. Nuk kam pasur një agjent që të më çonte nëpër botë, por gjithnjë kam pasur fatin që ndonjë klub apo federatë më ka telefonuar direkt’
Në futboll, ashtu sikurse edhe në jetë thonë së se nga humbjet mëson më shumë se nga fitoret. Cili ishte ‘dështimi’ më i dobishëm që të ndihmoi të ndërtoje fitoren më pas?
‘Unë, ashtu sikurse shumë të tjerë kam pasur zhgënjime dhe dështime, por i respektoj mundësitë që kam pasur, besoj se kam bërë një rrugëtim të mirë. Me kohë, arrin të vlerësosh më mirë zgjedhjet, ke termometrin e situatave të ndryshme që do të të ndihmojnë që të mos gjendesh në vështirësi. Shumë shpesh do të duhet të heqësh dorë nga disa oferta që nuk kanë të ardhme, por edhe këtë e mëson në lëkurën tënde dhe quhet eksperiencë. Për të qëndruar i pastër në rrugëtimin tim në jetë dhe në punë, kam hequr dorë nga arritja në majë me helikopter dhe preferova të shoh panoramën nga lart pasi jam ngjitur me ndihmën e një sëpate akulli’.
Çfarë bën Gianni De Biasi kur dëshiron të shkëputet krejtësisht nga futbolli? A ke një pasion apo një hobby që të kthen në ‘tokë’?
‘Zakonisht udhëtoj dhe shoh edhe futboll nëpër Evropë. Lexoj dhe ndjek çfarë ndodh në botë dhe lëviz me biçikletë për të ruajtur formën dhe kur mundem shkoj në shtëpinë time në Sardenjë që të pushoj dhe ëndërroj’
Pret ndonjë telefonatë?
‘Kam marrë më shumë se një, por asnjë nuk ishte interesante në aspektin e potencialit dhe të gjeografisë, sidomos kombëtaret. Të shohim nëse dikujt do t’i shkojë mendja për mua, nuk do të doja të mbyllja tani karrierën time, sepse besoj se kam akoma për të thënë e për të dhënë…’
Top Channel