Zyrtare/ Nis aventura e re për Griezmann, sulmuesi francez prezantohet te klubi amerikan

24/03/2026 19:21

Orlando City ka realizuar një nga transferimet më të bujshme në historinë e tij, duke njoftuar afrimin e sulmuesit francez Antoine Griezmann nga Atletico Madrid.

Griezmann do t’i bashkohet skuadrës amerikane në muajin korrik, pas përfundimit të sezonit në Spanjë. Ai pritet të firmosë një kontratë deri në sezonin 2027-2028, me opsion rinovimi edhe për një vit tjetër.

Drejtuesit e klubit e kanë cilësuar këtë transferim si historik, duke theksuar se ardhja e francezit përfaqëson një hap të madh për klubin dhe për Major League Soccer.

35-vjeçari vjen në MLS pas një karriere të shkëlqyer në Europë, ku ka luajtur edhe për ekipe si Barcelona dhe Real Sociedad. Ai numëron 298 gola dhe 132 asistime në 792 ndeshje zyrtare.

Me kombëtaren e Franca, Griezmann ka lënë gjurmë duke fituar Kupën e Botës 2018 dhe duke arritur finalen në vitin 2022. Ai u tërhoq nga përfaqësuesja në vitin 2024.

“Jam shumë i emocionuar për këtë kapitull të ri në karrierën time”, deklaroi sulmuesi, duke shtuar se mezi pret të takojë tifozët dhe të kontribuojë për sukseset e klubit në të ardhmen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB