Barcelona nis punën për merkaton e verës, në krye të listës qëndron ylli i Interit

24/03/2026 19:08

Afati i merkatos verore po afrohet dhe Barcelona duket se ka vendosur në krye të listës së objektivave Alessandro Bastoni.

Sipas raportimeve nga Spanja dhe Italia, qendërmbrojtësi i Inter po monitorohet nga afër nga drejtuesit katalanas.

Edhe pse nuk ka ende negociata zyrtare, interesimi për Bastonin po shton zhurmën në treg. Mediat katalanase theksojnë se lojtari nuk e ka refuzuar një kalim të mundshëm, ndërsa disa sinjale në rrjetet sociale – përfshirë ndërveprimet me Pau Cubarsí – kanë nxitur spekulime për një transferim të mundshëm.

Sipas portalit pranë klubit blaugrana, “Sport”, këto ndërveprime nuk janë rastësore dhe mund të interpretohen si një hap i parë drejt një afrimi mes palëve. Ndërkohë, forma e Bastonit dhe e skuadrës zikaltër ka pësuar luhatje kohët e fundit, çka ka shtuar edhe më shumë diskutimet për të ardhmen e tij.

Megjithatë, çdo lëvizje konkrete varet nga qëndrimi i Interit, i cili nuk ka ndërmend ta shesë mbrojtësin pa një ofertë të rëndësishme financiare. Klubi italian pritet të kërkojë rreth 70 milionë euro, një shifër që mbetet problematike për Barcelonën për shkak të kufizimeve ekonomike.

Paralelisht, katalanasit po punojnë edhe për objektiva të tjerë si Marcus Rashford dhe João Cancelo, duke e bërë situatën edhe më komplekse në aspektin financiar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB