Turistët e pranverës/ Qyteti i gurtë po gjallërohet nga lëvizjet, Kalaja e Gjirokastrës më e vizituara

23/03/2026 12:42

Fundjava ka sjellë një gjallëri të veçantë në Gjirokastër, ku turistë vendas dhe të huaj kanë “pushtuar” qytetin e gurtë.

Atmosfera festive ndihet në çdo cep, ndërsa rrugicat karakteristike janë mbushur me vizitorë që kërkojnë të zbulojnë historinë dhe bukurinë unike të këtij destinacioni.

Një ndër pikat më të vizituara mbetet Kalaja e Gjirokastrës, simboli i qytetit, ku vetëm nga muaji janar e deri më tani numri i vizitorëve ka kaluar mbi 9000. Rritja e ndjeshme e interesit konfirmon edhe njëherë rëndësinë e këtij monumenti historik, që vijon të tërheqë turistë nga e gjithë bota.
Ndërkohë, në Pazari i Vjetër i Gjirokastrës bie në sy fluksi i lartë i vizitorëve vendas, kryesisht nga kryeqyteti dhe nga shqiptarët e Kosovës, të cilët e cilësojnë qytetin si “magjik”.

Por prania e turistëve të huaj është po aq e dukshme, me vizitorë nga Greqia dhe Franca që shprehen të impresionuar nga arkitektura, kultura dhe mikpritja.

“Jam nga Franca, kemi ardhur dje tani do të shkojmë në Përmet. Në fakt do e vlerësoja Gjirokastrën për bukurinë këtu në qendrën historike sepse sa më shumë largohesh prej këtu, aq më pak interesante bëhet”, u shpreh turisti.

“Është hera ime e parë këtu. Na pëlqen kalaja, njerëzit janë shumë të dashur, kemi marr ftesën nga njerëzit që jetojnë këtu në Shqipëri dhe po kalojmë me të vërtet mirë”, u shpreh një tjetër turiste.

Gjirokastra po konfirmohet gjithnjë e më shumë si një destinacion i preferuar turistik, ku historia dhe tradita ndërthuren në mënyrë të përkryer

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB