LIVE/ Trump: Arritëm marrëveshje 15-pikëshe me Iranin, nuk ka më armë bërthamore. Sulmet kundër objekteve energjetike ndalen për pesë ditë. Teherani mohon
Tre vjet pas tragjedisë më të rëndë hekurudhore në historinë moderne të Greqisë, nisi në qytetin e Larisës gjyqi për aksidentin e Tempit, ku humbën jetën 57 persona, 6 prej të cilëve me origjinë shqiptare.
Procesi, i shumëpritur nga familjarët e viktimave dhe opinioni publik, u zhvillua në një atmosferë të tensionuar, por u ndërpre që në ditën e parë, për shkak të kushteve të papërshtatshme dhe mbipopullimit në sallën e gjyqit.
Ishin reagimet e fuqishme sapo filloi seanca, për mungesën e hapësirës dhe kushtet e sigurisë, që detyruan gjykatën ta shtyjë procesin për më 1 prill. Në sallë ndodheshin familjarë të viktimave, të mbijetuar, dhjetëra gazetarë dhe rreth 250 avokatë, ndërsa shumë prej tyre qëndruan në këmbë për orë të tëra.
“Drejtësia do të ishte që fëmijët dhe ata që u vranë të ishin sot këtu. Ne duam ndëshkim ,që fajtorët, ata që janë vërtet përgjegjës, të shkojnë në burg”-u shpreh Pavlos Aslanidis, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Viktimave
Të afërmit e viktimave protestuan duke e cilësuar situatën si fyerje ndaj kujtimit të të humburve. Ata kërkojnë zbardhjen e plotë të tragjedisë dhe dënimin e përgjegjësve, ndërsa theksojnë se drejtësia ka vonuar shumë.
“Ky proces dhe kjo dosje tregojnë qartë gjithë korrupsionin e shtetit grek. Pikërisht këtë jemi këtu për të gjykuar sot atë korrupsion që vrau fëmijët tanë. Shpresojmë për një gjyq serioz dhe të drejtë”-u shpreh Christos Vlachos, baba i një prej viktimave
Në bankën e të akuzuarve janë 36 persona, mes tyre drejtues hekurudhorë dhe punonjës përgjegjës për funksionimin e sistemit të sigurisë. Më shumë se 350 dëshmitarë pritet të japin dëshmi, përfshirë të mbijetuar dhe familjarë të viktimave.
Jashtë godinës së gjykatës u mblodhën qytetarë dhe organizata në shenjë solidariteti, ndërsa protestuesit shkruan me bojë të kuqe emrat e viktimave, duke kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi për katastrofën që tronditi gjithë vendin. Procesi pritet të zgjasë për shumë kohë , ndërsa familjarët e viktimave deklarojnë se do të vazhdojnë luftën deri në zbardhjen e plotë të së vërtetës.
Top Channel