Përkujtohet Ramiz Kovaçi, nderohet në 95-vjetorin e lindjes baritoni i shquar/ Zhani Ciko: Themelues i Teatrit dhe Operas pas çlirimit

23/03/2026 19:55

Baritoni Ramiz Kovaçi u përkujtua në 95-vjetorin e lindjes në një aktivitet të organizuar nga familjarët dhe Akademia e Shkencave.

I diplomuar me Medalje të Artë në Konservatorin e Sofjes dhe i specializuar në Romë, emrin u Kovaçit zuri vend në skenën lirike shqiptare. Ai ishte mes themeluesve të Institutit të Lartë të Arteve.

“Meritë e madhe e Ramiz Kovaçit dhe e brezit të tij është se u bënë baza e parë, themeluesit e Teatrit të Operas pas çlirimit. Njerëz si Ramiz Kovaçi na japin etalonin më të mirë, mos të harrojmë që mjeshtëria e tyre është përsosur në një moment kur kishte hapa që e çonin para vendin, por edhe me hapa pas për shkak të sistemit”, u shpreh kompozitori Zhani Ciko.

Si pedagog, “Nderi i Kombit” përgatiti disa breza artistësh.

Prof. Dr. Shqipe Zani u shpreh: “Kur stazhin e bëja në opera, profesori më pyet nëse e dija duetin Rozin. Kur bi thashë po, më tha ‘hajde se do të shkojmë në Sarandë’. Ishte një kënaqësi e madhe të këndoja me artistë si Ramiz Kovaçi, Gaqo Çako, Hysen Koçija, Ibrahim Tukiçi, ishte nder”.

Në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, Ramiz Kovaçi u dha jetë roleve kryesore te “Skënderbeu”, “Mrika”, “Toka jonë”, dhe interpetoi kryeveprat e operës botërore “La Traviata”, “Rigoletto”, “Madama Butterfly”, “La Bohème”, “Carmen” dhe “Berberi i Seviljes”.

“Këndoi shumë bukur edhe këngën popullore shqiptare. Është munduar të këndojë këngë nga të gjitha trevat shqiptare. Nuk ka lënë fshat, qytet, uzinë dhe fabrikë të asaj kohe të këndonte dhe të fliste me njerëzit që e donin kaq shumë”, tha e bija e Ramiz Kovaçit, Rajna.

Baritoni që e trashëgoi formimin e tij artistik te këngëtarët e rinj, frymëzoi edhe mbesën, soprano e njohur Ramona Tullumanin, në rrugëtimin e saj operistik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB