Përveç kombëtares shqiptare, një tjetër përfaqësuese që po ëndërron pjesëmarrjen e saj të parë në një botëror është edhe Kosova.

Skuadra dardane në mbrëmjen e 26 marsit do të luajë me Sllovakinë në fushën e kësaj të fundit, por trajneri Franco Foda theksoi se skuadra që ai drejton ka potencialin për t’ia dalë mbanë

‘Ne jemi të vetëdijshëm që nuk do të jetë ndeshje e lehtë dhe e dimë që Sllovakia ka një skuadër shumë të fortë, e dimë që sapo e merr topin di të luajë shumë mirë në kundërsulm, por ne kemi shumë besim, ne i kemi treguar kualitetet tona, sidomos në fazën e grupeve, kemi treguar që edhe si vizitorë mund të luajmë shumë mirë dhe mund të fitojmë ndeshje-tha Foda.

Trajneri i Dardanëve më pas foli për gjendjen e skuadrës si dhe fokusin e saj në aspektin taktik për këtë përballje.

 ‘Nuk do të ketë nevojë t’i stërvitim lojtarët pasi ata janë në formën optimale dhe vijnë të gatshëm nga ekipet e tyre. Mirëpo theksi kryesor do të jetë nga ana taktike ku do të punojmë shumë fort që parimet tona t’i zbatojmë në fushë dhe t’ua japim një plan atyre se si të luajnë kundër Sllovakisë’-shtoi Foda.

Kombëtarja e Kosovës ndaj Sllovakisë nuk do të ketë kapitenin Amir Rrahmanin dhe mesfushorin Leon Avdullahu, për të cilët Foda tha se janë dy mungesa të rëndësishme

‘Sigurisht që mungesa e këtyre lojtarëve është e rëndësishme, por Rrahmani është edhe kapiten i skuadrës dhe ka një personalitet me shumë peshë për skuadrën. Po ashtu edhe Leon Avdullahu si mesfushor është strateg shumë i madh.  Sigurisht që do të na mungojnë, por ne i kemi bërë llogaritë tona, kemi menduar mirë dhe po besojmë që do t’i gjejmë zgjidhjet e duhura’-tha Foda.

Përsa i përket Edon Zhegrovës, Foda tha se është një element kyç për skuadrën, por pa zbuluar nëse do të jetë apo jo në fushën e lojës në 26 mars.

‘Sigurisht se e kemi një plan të qartë dhe një ide të qartë se si do të jetë përbërja e ekipit në ndeshjen e radhës. Ne në javët e fundit e kemi ndjekur lojën e Sllovakisë bashkë me stafin dhe po ashtu dimë që Zhegrova nuk e ka pasur shumë të lehtë. Por, ne gjithashtu e dimë që Zhegrova është një lojtar që me kualitetet e tij është shumë i rëndësishëm për skuadrën tonë dhe tani do të kërkoj mirëkuptim por në këtë moment nuk mund të tregoj se kush do të luajë si titullar’-përfundoi trajneri i Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB