Të hënën, çmimi i naftës në Kosovë nëpër pikat e karburantit ishte mes 1.72 centë dhe 1.79 centë.

Për të pasur kontroll mbi çmimin e naftës, Ministria e Tregtisë më pesë mars nxori vendim për çmimet tavan. Sipas këtij vendimi marzha e fitimit caktohet prej 2 centëve për shitësit me shumicë e 12 centë për shitësit me pakicë. Megjithatë as ky vendim nuk është zgjidhje.

Ministrisë së Tregtisë i kërkohet ndryshim i politikave fiskale, siç kanë vepruar edhe vendet e rajonit. Ndryshe nga Shqipëria, në Kosovë paguhen vetëm dy taksa për naftën e importuar. Akciza për naftën është në vlerë prej 36 centë për litër e TVSH-ja është 18%.

Llogaritur me çmimin aktual me të cilin blihet nafta që është 1.11 centë, operatorët ekonomik për një litër naftë paguajnë taksa në vlerë prej 62 centë.

Oda Ekonomike e Kosovës kërkon ulje nga akciza dhe lirim të përkohshëm nga TVSH-ja, që sipas kryetarit Lulzim Rafuna do të ndikonte në uljen e çmimit rreth 40%: “Është urgjente që të ndërhyhet në politika fiskale në këtë rast ose me uljen e tatimit të akcizës apo edhe me largimin e përkohshëm, jo të përhershëm, të tatimit të vlerës së shtuar që kishte ndikuar me një ulje 30-40% në çmim të naftës”.

Deputetët opozitarë, përmes një letre drejtuar ministres së tregtisë, kërkojnë 50% ulje TVSH-së e heqje të akcizës.

Megjithatë, Ministria e Tregtisë nuk e ka në plan të ulë akcizën ose TVSH-në, por synon formimin e një grupi punues për monitorimin e zbatimit të vendimit paraprak: “TVSH-ja asnjëherë nuk ka qenë si opsion, për shkak se është shumë problem të përcillet… Në situatën aktuale, nuk e konsiderojmë si opsion heqjen e akcizës, por përcjelljen e situatës ku çmimi i importuar nuk e kalon çmimin tavan”.

Kosova është e ndjeshme ndaj ndryshimit të çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar për shkak të importit të lartë dhe pamundësisë për ruajtjen e rezervave të naftës.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB