Spalletti-Juventus, takimi për rinovimin nuk do të jetë një formalitet/ Merkato dhe strategji, trajneri do përgjigje të sakta

23/03/2026 13:23

‘Pauza e ndeshjeve të kombëtareve është momenti i duhur, ka më pak stres dhe më shumë kohë dhe nga ana ime ekziston i gjithë disponibiliteti për të dëgjuar se çfarë do të më thotë klubi’-kështu u shpreh përpara pak ditësh Luciano Spalletti kur u pyet për rinovimin e kontratës me Zonjën e Vjetër.

Por ky takim mes trajnerit toskan dhe drejtuesve të Juventusit që është parashikuar të zhvillohet gjatë kësaj jave për rinovimin deri në 2027 me opsion edhe për një vit tjetër, nuk do të jetë një formalitet. Klubi bardhezi i ka idetë e qarta dhe e ka me ngut të nënshkruajë kontratën e re me Spallettin; Juventus nuk ka pasur kurrë dyshime për një të ardhme me Spallettin në pankinë dhe është i kënaqur me punën e tij, pavarësisht sesi do të përfundojë gara për vendin në zonën Champions.

‘Nuk shoh trajnerë të tjerë në pankinën tonë vitin tjetër-ka qenë deklarata e Giorgio Chiellinit përpara pak javësh duke konfirmuar besimin te tekniku toskan.

Por në krahun tjetër, Luciano Spalletti, ka nevojë për përgjigje precize nga klubi; nuk është çështje page, pasi nuk ka probleme të tilla, por ai dëshiron të jetë i përfshirë bashkë me klubin në projektin Juventus dhe të marrë garanci për skuadrën që do të ketë në dispozicion. Trajneri kërkon autonomi në zgjedhjet në fushë, por në merkato, kërkon lojtarë të një niveli të lartë që të mund të përforcojë skuadrën për të synuar menjëherë titullin kampion. Pra, jo zgjedhje të dyta apo blerje sa për të thënë; Spalletti kërkon të diskutojë me drejtuesit çdo operacion për përforcimet që nga portieri e deri te sulmuesi, sigurisht pa larguar asnjë nga ‘peshat e rënda’ të skuadrës edhe sikur Juventus të mos arrijë dot të kualifikohet në Ligën e Kampioneve.

Ndërkaq, gjatë kësaj jave, është parashikuar edhe një takim mes drejtuesve të Juventusit dhe përfaqësuesve të Dusan Vlahovic, me të cilin është arritur një marrëveshje për rinovimin e kontratës deri në 2028 me pagë rreth 6 milionë euro plus bonuse.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB