Protestues të lënduar në protestë, Berisha nga spitali: Demonstruesin nga Berati e goditën, do të mbajnë përgjegjësi për dhunën ndaj tyre

22/03/2026 23:20

Kryedemokrati Sali Berisha ka vizituar në spital protestuesit e lënduar në protestën e kësaj të diele në kryeqytet.

Ai mbajti fjalën e tij pas vizitës, duke u shprehur se njërin prej tyre e kanë goditur megjithëse nuk po kryente asnjë veprim të dhunshëm

“Demonstruesin nga Berati të cilin e kanë goditur në mënyrë kafshërore, në një kohë kur nuk po kryente asnjë veprim të dhunshëm.

Dënoj me forcën më të madhe dhunën ndaj protestuesve dhe e garantoj Edi Ramën se, për çdo protestues të dhunuar ai do të jetë përgjegjës personal direkt, personal direkt.

Sikundër garantoj shqiptarët se në këtë vend paqe nuk ka dhe nuk do të ketë përderisa qeveritarët hajdutë pasi kanë vjedhur qytetarët, qindra milionë e miliarda, përdorin mandatet e krimit si mburojë për të bllokuar sistemin e drejtësisë dhe akuzën, ndryshojnë ligje po si mburojë.

Edi Rama duhet ta ketë të qartë se kjo në mënyrë absolute nuk do të tolerohet kurrë nga kjo opozitë.

Ndaj edhe njëherë shpreh mirënjohjen më të pakufishme ndaj heronjve të protestës së sotme. Ju e patë se çfarë fuqie dëshmuan dhe të garantoj shqiptarët se kjo kryengritje paqësore nuk ndalet gjer në triumfin e plotë: Largimin kësaj organizate kriminale të kryesuar nga Edi Rama nga qeveria.

Tani unë jam këtu.  Para se të vija këtu, kishin sjellë tre apo katër policë gjoja të plagosur, dhe mbrapa kishte ardhur dhe ministri pas tyre për show.

Por ajo që ishte akoma dhe më e turpshme, më qesharake, u përgatit dhe do të vinte Edi Rama për të shprehur solidaritetin policëve të plagosur imagjinarë.

Por kjo mori përmasa kaq qesharake sa ata e panë që po keqpërdoren dhe u ngritën nga shtretërit e reanimacionit dhe shkuan në shtëpitë e tyre për të mos u bërë qesharakë.

Tani unë jam këtu për ti dërguar një mesazh Policisë së Shtetit: Mos mbroni në asnjë rrethanë dhe në asnjë mënyrë, Edi Ramën, kreun e organizatës kriminale dhe qeveritarët e tij.

Sepse shkelmoni mbi interesat më jetike, kombëtare, të çdo shqiptari, tuajat të familjeve tuaja, të shoqërisë shqiptare.

Ndaj dhe hiqni dorë nga çdo lloj sjellje dhune.

Opozita është e betuar dhe e vendosur të vazhdojë kryengritjet paqësore. Kështu që edhe me këtë rast, thirrja ime për Policinë e Shtetit: të mos përdoret si mish për top për një bandë hajdutësh, për një organizatë kriminale të kryesuar nga Edi Rama që vjedh dhe i përdor ata si mburojë.

Pra kjo është thirrja. I përshëndes të tre policët që u larguan menjëherë sapo morën vesh që mund të vinte dhe kreu i narkoshtetit për teatër me ta. “, tha Berisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB