LIVE/ PD 3 orë protestë me molotovë, fishekzjarre dhe flamurin gjerman. Berisha lëndohet me spray në sy. 6 efektivë të policisë të plagosur

22/03/2026 22:22

Prej më shumë se tre orësh, mbështetësit e Partisë Demokratike, të udhëhequr nga kryedemokrati Sali Berisha dhe deputetë të djathtë, protestuan në Tiranë.

Kreu i PD, Sali Berisha mbërriti pak para orës 18:00 në selinë blu, i veshur sportiv. Pas një takimi rreth 40 minutash, lideri nisi marshimin bashkë me protestuesit drejt Kryeministrisë. Tubimi i sotëm nuk nisi me fjalime, por me molotovë drejt godinave.

Pas Kryeministrisë, u sulmua me molotovë ministria e Brendshme, e Infrastrukturës dhe selia e PS, ndërsa u dogj edhe një makinë policie. Ndërkohë Policia e Shtetit u kundërpërgjigj me autobotë me ujë dhe gaz lotsjellës për të ndarë turmën.

Sali Berisha u lëndua nga një spray në sy, ndërsa pati edhe probleme me frymëmarrjen. Kreu i PD u largua në drejtim të banesës së tij, dhe u rikthye sërish me maskë kundër gazit lotsjellës. Të lënduar nga kjo protestë mbetën edhe 3 efektivë policie, ndërsa iu vu flaka edhe automjetit të policisë dhe një autoboti uji.

Në përfundim të tubimit, Berisha mbajti edhe një fjalim, ku tha se “protesta e radhës do të jetë edhe më e shkëlqyer”.

22:21 9 të arrestuar pas protestës me molotovë, Berisha niset drejt spitalit të Traumës

Nëntë protestues demokratë janë arrestuar nga Komisariati nr. 1 dhe Komisariati nr. 4 në Tiranë.

21:37 Gjashtë efektivë policie të lënduar nga protesta, ndodhen te Trauma dhe në QSUT

Gjatë tubimit të zhvilluar nga subjekti politik Partia Demokratike, i cili u përshkallëzua në akte dhune ndaj forcave të rendit, u lënduan 6 punonjës policie.

21:15 Fotolajm/ Tym dhe flakë, çfarë mbeti pas në përfundim të protestës së PD-së

Prej më shumë se tre orësh, mbështetësit e Partisë Demokratike, të udhëhequr nga kryedemokrati Sali Berisha dhe deputetë, protestuan në Tiranë.

20:56 Iu hodh spray në sy, Berisha flet në mbyllje të protestës: Ishte një akt i shëmtuar, por…

Kreu i Partisë Demokratike ka folur për hedhjen e spray-t lotsjellës mbi të, pas përfundimit të protestës së demokratëve.

20:54 Berisha flet pas protestës: I dhamë goditje diktaturës, protesta e radhës…

Në përfundim të protestës që zgjati mbi tre orë, kryedemokrati Sali Berisha mbajti një fjalim para selisë blu, ku paralajmëroi edhe për protestën e radhës.

20:51 Protesta e demokratëve/ Protestuesit kthehen në selinë e PD-së, Berisha futet brenda godinës

Pas përshkallëzimit të protestës, protestuesit të udhëhequr nga Sali Berisha u kthyen në selinë e PD-së.

20:46 Foto-lajm/ Berisha me sytë e skuqur nga spray, qëndron mes protestuesve

Sali Berisha u lëndua nga një spray në sy, ndërsa pati edhe probleme me frymëmarrjen gjatë protestës

20:32 Përshkallëzimi i protestës së opozitës, lëndohen nga molotovët katër efektivët e policisë, dërgohen në spital

Katër efektivë të policisë kanë mbetur të lënduar si pasojë e hedhjes së molotovëve nga protestuesit e opozitës.

20:24 Përshkallëzohet protesta, hedhje të vazhdueshme molotovësh, vendi mbushet me tym pranë Xhamisë së Namazgjasë

Ka vijuar e ashpër protesta e demokratëve, teksa pranë Xhamisë së Namazgjasë janë hedhur një sasi e konsiderueshme molotovësh.

20:18 Pati probleme me frymëmarrjen dhe sytë, Berisha i rikthehet protestës pas pauzës disa-minutëshe pranë shtëpisë së tij

Pas problemeve me frymëmarrjen dhe sytë, si pasojë e hedhjes së gazit lotsjellës, kryedemokrati Sali Berisha i është rikthyer protestës pas pauzës.

20:08 Sulmi me molotovë dhe përplasjet me policinë, blutë nisin shoqërimet e para të protestuesve

Policia e Shtetit ka nisur shoqërimet e para të protestuesve të Partisë Demokratike, të cilët hodhën molotovë në drejtim të disa godinave.

20:02 Sali Berisha ndihet keq nga gazi lotsjellës, rrethohet nga truprojat dhe largohet për në banesë

Sali Berisha ka braktisur protestën e opozitës, pasi është ndjerë keq nga gazi lotsjellës që hodhi policia.

20:00 Noka përplaset me policinë, thyen kordonin e sigurisë pranë Piramidës, hidhen molotovë

Është përshkallëzuar protesta e Partisë Demokratike. Deputeti Flamur Noka, së bashku me deputetin Luçiano Boçi, të ndihmuar nga protestuesit u përplasën me policinë dhe arritën të thyenin kordonin e Policisë.

19:41 PD me molotovë ndaj institucioneve, reagon Balla: I hedhin me flamujt e BE dhe gjermanë në duar

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka reaguar pas hedhjes së molotovëve gjatë protestës së demokratëve. Ai shkruan në Facebook se “Partia Demokratike i hedh molotovët me flamunjtë e BE dhe gjermanë në duar”, pavarësisht thirrjeve të këtyre të fundit për protesta jo të dhunshme.

19:41 Protestuesit drejtohen nga ish-Blloku, molotovët thyejnë xhamat e bizneseve

Protestuesit e opozitës, i janë drejtuar ish-Bllokut , edhe pse Policia e Shtetit kishte vendosur kordone me gardhe hekuri. Gazetarja e Top Channel Elda Menga raporton se gjatë marshimit drejt ish-bllokut janë hedhur flakadanë dhe molotovë, ndërsa janë dëmtuar dhe xhama të bizneseve buzë rrugës.

19:38 Video/ TCH sjell pamjet me dron nga protesta e opozitës, turma drejtohet nga flamuri gjerman dhe i BE-së

Top Channel ka ndjekur hap pas hapir protestën e opozitës, e cila nisi në Kryeministri e më pas u përhap me marshime në zona të tjera të kryeqytetit. Në pamjet me dron shihet numri i lartë i protestuesve që u mblodhën pasditen e sotme.

19:21 Protestuesit e PD i vënë flakën makinës së Policisë, kundërpërgjigje me gaz lotsjellës

Protestuesit e Partisë Demokratike vijojnë të hedhin molotovë, ndërsa ka marrë flakë edhe një automjet i Policisë së Shtetit pranë Bankës së Shqipërisë. Fillimisht sulmi me molotovë nisi në Kryeministri, vijoji drejt ministrisë së Brendshme dhe Infrastrukturës dhe selisë së PS.

19:14 Protestuesit sulmojnë me molotovë selinë e PS-së, policia hedh ujë drejt tyre

Protesta e demokratëve nisi me tensione, të cilat u përshkallëzuan më tej me hedhjen e vazhdueshme të molotovëve. Mbështetësit demokratë kanë sulmuar edhe selinë e PS-së me molotovë.

19:05 Turma e protestuesve niset drejt Bashkisë së Tiranës, sulmohen me molotovë dy ministri

Protestuesit e Partisë Demokratike janë nisur drejt Bashkisë së Tiranës, por fillimisht kanë hedhur molotovë drejt Ministrisë së Brendshme dhe ajo e Infrastrukturës. Pas hedhjes së molotovëve dhe fishekzjarrëve drejt Kryeministrisë, ata kanë vendosur të marshojnë.

19:00 Video-lajm/ Berisha largohet me nxitim pas hedhjes së molotovëve drejt Kryeministrisë, mbrohet me çadra nga truprojat

Kryedemokrati Sali Berisha është larguar me nxitim nga zona e nxehtë e protestës, pas hedhjes së molotovëve nga demokratët drejt Kryeministrisë. Berisha është mbrojtur nga truprojat me çadër, pas përshkallëzimit të situatës.

18:55 Kryeministria në flakë/ Shpërthejnë fishekzjarrët, protestuesit largohen me vrap, kundërpërgjigjet policia

Kanë nisur hedhjet e molotovëve dhe lëndëve piroteknike drejt godinës së Kryeministrisë. Me dhjetëra fishekzjarrë u hodhën në drejtim të godinës, ndërsa policia u kundërpërgjigj me hedhje uji nga të dyja anët dhe gaz lotsjellës.

18:42 Nis me tensione protesta e opozitës përpara Kryeministrisë, shpërthejnë molotovët

Ka nisur me tensione protesta e Partisë Demokratike, ku vetëm pak minuta pasi kryedemokrati Sali Berisha dhe protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë, plasën molotovët. Qytetarët janë vendosur përpara Kryeministrisë për të protestuar, teksa të pranishëm janë edhe deputetët e PD-së.

18:39 Berisha del nga selia blu, bashkë me protestuesit marshon drejt Kryeministrisë

Pas një takimi rreth 40 minutash në selinë blu, kryedemorkati Sali Berisha ka nisur marshimin drejt Kryeministrisë. I shoqëruar nga deputetë demokratë dhe mbështetës, Berisha po ecën në këmbë drejt Kryeministrisë, ndërsa ende nuk dihet hapi i radhës.

18:19 Pas djegies së vilës së diktatorit Hoxha në protestën e 20 shkurtit, policia merr masa. Rrethohet me gardh metalik hyrja e ish-Bllokut

Pas djegies së vilës së diktatorit Enver Hoxha në protestën e 20 shkurtit që e gjeti Policinë e Shtetit pa përgatitur, këtë të diel policia ka rrethuar me gardh metalik hyrjen për në ish bllok. Ende nuk dihet skenari i protestuesve, ndërkohë që janë blinduar me masa sigurie institucionet si Kryeministria, Kuvendi, dhe selia e PS.

15:26 Berisha thirrje qytetarëve para protestës: Ditë e madhe në historinë e demokracisë, dilni të gjithë në shesh

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në shesh, për protestën e cila pritet të nisë në orën 18:00 para Kryeministrisë. Teksa uroi besimtarët për festën e Sulltan Novruzit, Berisha u shpreh se sot është “ditë e madhe në historinë e demokracisë në Shqipëri”.

10:55 PD protestë pa fjalime/ Mungon podium në shesh, blindohet Kryeministria

Siç raporton gazetarja e Top Channel Elda Menga, gjatë protestës së sotme nuk do ketë fjalime pasi në shesh vërehet mungesa e podium. Si gjithmonë para protestave të thirrura nga opozita, Kryeministria është rrethuar gardhe të hekurt ndërsa policia sot ka njoftuar rrugët të cilat do të bllokohen gjatë protestës. Ndërkohë ditën e djeshme kryedemokrati Sali Berisha zbuloi se deputetët do të bashkohen me protestuesit e zonës së tyre.

09:34 Protesta e opozitës përpara Kryeministrisë/ Policia njofton masat, ja cilat janë rrugët që do të bllokohen

Nga ora 09:30 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga Ura deri në kryqëzimin me rrugën “Ismail Qemali”; Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohen rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”. Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për devijimin e qarkullimit të automjeteve në rrugë alternative.

FOTO GALERI
1/66

Top Channel

DIGITALB DIGITALB