Avokati Ngjela flet për të atin Kiço, Ngjelën: Ai mbante sistemin komunist, por unë nuk do vrisja babain tim

22/03/2026 21:52

Në një rrëfim të drejtpërdrejtë në “Grida Duma Podcast”, Spartak Ngjela foli hapur për figurën e të atit, Kiço Ngjela, dhe rolin e tij në regjimin komunist.

I pyetur nëse ka ndjerë ndonjëherë peshë faji për pasojat që mund të kenë ardhur nga veprimet e tij apo të familjes, Ngjela ishte i prerë: “Jo”, duke theksuar se nuk ka pasur asnjëherë një kompleks të tillë.

Ai tregoi se gjatë kohës së disidencës, edhe vetë rrethi kundërshtar i regjimit e konsideronte të atin si një figurë kyçe. “Më thoshin: Kiço Ngjela e mban regjimin. Po ç’do bëj unë, do eliminoj babanë tim?”, u shpreh ai.

Sipas Ngjelës, roli i të atit ishte real dhe i njohur edhe prej tij. “Ai e mbante, s’diskutohet ajo. Dhe ai e dinte që i mbante”, tha ai, duke shtuar se madje kishte paralajmëruar edhe për krizën që do të vinte: “Katër vjet e gjysmë, pesë vjet e kam garantuar unë; pas pesë vjetësh do hani gjethe. Ashtu hëngrën gjethe”.

Në analizën e tij, ndikimi i Kiço Ngjela lidhej me eksperiencën dhe rrjetin e gjerë ndërkombëtar. “Nuk është problem gjeneraliteti, është eksperienca që kishte, se ishte nga ’48 deri në ’75-ën ministër i financave dhe kishte lidhje me të gjithë ministrat e botës lindore”, tha ai.

Ngjela tregoi edhe mekanizmin që, sipas tij, mbajti përkohësisht në këmbë ekonominë.

“Shiste në Perëndim me çmime 10–12 herë më të larta dhe blinte mall nga Lindja me çmime të vjetra”, duke shtuar se marrëveshjet me vendet socialiste u mbajtën me çmimet e viteve ’50.

Ky version, sipas tij, nuk erdhi nga rrëfime familjare të drejtpërdrejta, por nga një përballje në burg.

“Jo, ma tha në burg. Kam qenë në një dhomë burgu me të. Atje ma tha: këtë bëra”, tregoi Ngjela.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB