Federata Spanjolle e Futbollit konfirmon se La Roja do të luajë ndeshjen miqësore me Egjiptin në 31 mars në stadiumin katalanas të Espanyolit, RCDE Stadium. Kjo sfidë do të jetë e dyta për skuadrën e Luis De La Fuente dhe e fundit për të në kuadër të përgatitjeve të Botërorit 2026.
Në këtë mënyrë, ‘La Roja’ kthehet të luajë në tokën katalanase dhe pikërisht në RCDE Stadium, 4 vjet pas sfidës së saj me Kombëtaren shqiptare në 26 mars të 2022 e fituar nga Spanja 2-1. Përsa i përket ndeshjes me Egjiptin, kjo sfidë ishte në dyshim deri në minutën e fundit për shkak të situatës së krijuar në Lindjen e Mesme nga sulmet e SHBA dhe Izraelit ndaj Iranit.
Kujtojmë se Spanja në 27 mars do të luajë një miqësore me Serbinë, sfidë kjo që do të luhet në stadiumin Ceramica të Villarrealit. Kjo pas anulimit të ‘Finalissima’ me Argjentinën e programuar të mbahej në atë datë në Katar.
Në RCDE Stadium që ndodhet në Cornellà-El Prat dhe që ka një kapacitet me rreth 40 mijë vende(38 529 saktësisht), Spanja do të luajë sfidën e dytë ndaj Egjiptit në historinë e saj, precedenti i vetëm i përballjes mes këtyre dy skuadrave daton në 3 qershor të 2006, një sfidë kjo që është luajtur në stadiumin e Elches.
Top Channel