Trump përjashton mundësinë e armëpushimit me Iranin: Ata janë të mbaruar
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka paditur Harvardin, duke e akuzuar universitetin prestigjioz për dështim në mbrojtjen e studentëve hebrenj dhe izraelitë duke kërkuar dëmshpërblim me miliarda dollarë.
Sipas padisë së depozituar në gjykatën federale në Boston, Departamenti i Drejtësisë në SHBA pretendon se Harvardi ka treguar “indiferencë të qëllimshme” ndaj ngacmimeve dhe atmosferës armiqësore në kampus kur ‘viktimat’ ishin studentë hebrenj ose izraelitë.
Dokumenti thekson se kjo sjellje ka dërguar një mesazh të qartë për komunitetin hebre dhe izraelit, duke krijuar perceptimin se ata përjashtohen qëllimisht dhe privohen nga mundësi të barabarta arsimore.
Universiteti Harvard ka kundërshtuar akuzat, duke i cilësuar si veprime të padrejta dhe hakmarrëse nga administrata Trump, dhe ka theksuar përpjekjet e tij për të luftuar antisemitizmin në kampus, duke përfshirë trajnime shtesë, përmirësime në proceset disiplinore dhe adoptimin e përkufizimit ndërkombëtar për antisemitizmin.
“Harvard kujdeset thellësisht për komunitetin hebre dhe izraelit dhe angazhohet për t’i mbrojtur, respektuar dhe për t’i lejuar të lulëzojnë në kampusin tonë”, tha një zëdhënës i universitetit.
Padia e së premtes vjen pak më shumë se dy muaj pas deklaratës së presidentit Trump se administrata e tij kërkonte 1 miliard dollarë nga Harvardi për të mbyllur hetimet mbi politikat e tij, pas raportimeve se kërkesa fillestare prej 200 milionë dollarësh ishte tërhequr.
Ky rast pason edhe një padi tjetër të ngritur më 13 shkurt, ku qeveria akuzonte Harvardin për mosbashkëpunim në një hetim federal dhe kërkonte dokumente për të verifikuar nëse procesi i pranimit kishte përdorur në mënyrë të paligjshme kriterin e racës.
Administrata Trump ka sfiduar gjithashtu universitete të tjera të SHBA-së, duke përfshirë ‘Columbia University’ dhe sistemin e ‘University of California’, të cilat janë akuzuar për tolerim të antisemitizmit në kampus, veçanërisht pas nisjes së konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit në tetor 2023.
Top Channel