Teksa tensionet në Lindjen e mesme sa vijnë e rriten, palët e përfshira në konflikt kanë filluar të godasin edhe strukturat energjetike të njëra-tjetrës.
Pas sulmit të parë iranian në Ras Laffan të Katarit, impianti më i madh i prodhimit të gazit natyror në botë, presidenti Donald Trump kërcënoi Iranin me sulme ndaj infrastrukturës iraniane të gazit natyror.
Megjithatë, edhe pas paralajmërimit të presidentit amerikan, Teherani nuk u ndal dhe sulmoi sërish Ras Laffan për të dytën herë brenda pak orëve. Republika Islamike nuk u ndal aty, pasi në orët e para të ditës së sotme goditi një rafineri gazi në Kuvajt.
Ndërkohë forcat mbrojtëse izraelite njoftuan se kishin eliminuar mbi 20 luftëtarë të Hezbollahut në jug të Libanit.
Sakaq, Reuters raporton se administrata Trump po shqyrton mundësinë e vendosjes së trupave tokësorë në Iran si dhe rreth Ngushticës së Hormuzit, ndërsa Washington Post raportoi se mbrëmjen e djeshme disa dronë të paidentifikuar kishin fluturuar afër një baze ushtarake në Uashington ku po qëndronin Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe Sekretari i Luftës, Pete Hegseth, duke alarmuar Shtëpinë e Bardhë.
Përditësimet LIVE, 19 mars
09:38 Trump shtyn vizitën në Pekin, lufta me Iranin riformaton prioritetet globale
Vizita e Donald Trump në Pekin ishte menduar të stabilizonte raportet e brishta në konfliktin tregtar dhe teknologjik me Kinën. Tani lufta me Iranin po riformëson agjendën e tij e po ashtu fuqinë e ndikimit të Pekinit.
09:16 Ekzekutime në Iran, tre protestues dënohen me vdekje pas tubimeve antiqeveritare
Irani ka ekzekutuar tre protestues antiqeveritarë, të cilët ishin dënuar për vrasjen e dy oficerëve të policisë gjatë protestave të janarit.
09:08 Pas Katarit Teherani godet Kuvajtin, sulmon me dronë rafinerinë e naftës Al-Ahmadi
Korporata e Naftës së Kuvajtit tha se një njësi në rafinerinë Mina Al-Ahmadi u sulmua nga një dron mëngjesin e ditës së sotme, duke rezultuar në një zjarr të vogël, raportoi Agjencia e Lajmeve të Kuvajtit.
Vendimi i SHBA-së dhe Izraelit për të shënjestruar dhe eliminuar figurat më të larta të regjimit iranian ka shkaktuar debat të nxehtë në të gjithë botën në lidhje me efektivitetin e kësaj strategjie.
Administrata Trump po shqyrton vendosjen e mijëra trupave në Iran dhe në rajonin e Ngushticës së Hormuzit për të forcuar praninë e saj ekzistuese në luftën me Iranin, raportoi Reuters, duke cituar njerëz të njohur me çështjen.
Zyrtarët amerikanë kanë parë dronë të paidentifikuar mbi një bazë ushtarake në Uashington, ku po qëndrojnë Sekretari i Shtetit i SHBA-së Marco Rubio dhe shefi i Pentagonit Pete Hegseth, raportoi Uashington Post, duke cituar tre persona të informuar mbi situatën.
Televizioni shtetëror iranian raportoi në orët e para të mëngjesit se një raketë kishte goditur sërish rafinerinë Ras Laffan në Katar, e cila është më e madhja në botë për prodhimin e gazit natyror.
07:48 Trump kërcënon Iranin: Nëse godisni sërish Katarin, do iu hedh në erë fushat e gazit
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi se SHBA-të do ta shkatërrojnë plotësisht fushën masive të gazit të Iranit, South Pars, nëse Teherani vazhdon sulmet ndaj Katarit ose përshkallëzon situatën në rajon.
Top Channel