“Taksa e qarkullimit po iku nga nafta, do shkojë diku tjetër”, Rama: Po u vendos taksa tek automjeti, do e paguajnë katërfish më shumë
Gjatë bashkëbisedimit me furnizuesit e naftës, kryeministri Edi Rama sqaroi se ky hidrokarbur përdoret për industrinë e rëndë.
Kreu i qeverisë iu përgjigj qytetarëve duke thënë se hedhja në treg kërkon një kosto shumë të madhe.
“Një tjetër sqarim për ata që na ndjekin, sepse konstatoj që jo të gjithë janë të informuar që Shqipëria nuk prodhon naftë të përdorshme për pikat fundore dhe kjo do të thotë që nuk e kemi këtë pasuri natyrore të zbuluar dhe të përdorshme, pasi nafta që ne nxjerrim është naftë e rëndë, e cila në rast se do të futej në përpunim, do të kërkonte një rafineri dhe kosto shumë të mëdha për një përpunim që ta çonte deri në pikën fundore dhe megjithatë, siç ka treguar dhe historia në të shkuarën, nuk arrihet që të jetë një produkt që të përmbushë parametrat e nevojshëm për shkak të përmbajtjes që ka. Ajo është një naftë që përdoret për industrinë, një naftë bituminoze që përdoret për asfalt dhe kështu me radhë. Kjo është shumë e rëndësishme sepse shumë herë njerëzit lëshohen në këto përfytyrimet që “ne kemi naftën tonë, pse këtu duhet të rritet çmimi, naftën ne na i ka dhënë Zoti”, ndërkohë që është e vërtetë që ne kemi dhe rezerva nafte premium, por deri më sot, siç tregoi dhe rasti i Shpiragut, pavarësisht se nafta së bashku me gazin u zbuluan, gjeologjia shumë specifike e atij formacioni atje, e pamundësoi nxjerrjen me një kosto të arsyeshme për ta hedhur në prodhim për tregun.
Ne nuk kemi reshtur se kërkuari zgjidhje të tjera, duke patur parasysh se teknologjia ndryshon çdo ditë, po për momentin situata është kjo dhe prandaj, ne jemi të varur si shumë vende të tjera, se s’jemi vetëm ne, të varur nga bursa, të varur nga konjukturat ndërkombëtare dhe të prekshëm edhe nga një krizë që është në një territor shumë larg nesh, sepse impaktohet tregu global i naftës, ku praktikisht të gjithë ju keni aksesin dhe me të cilin ju punoni.”, u shpreh Rama.
Top Channel