Në botërorin e MotoGP ndizen sirenat e alarmit për Çmimin e Madh të Brazilit që kthehet në kalendar pas më shumë se 2 dekadash. Vendi amerikano-latin është nën reshjet e dendura të shiut këto ditë të cilat kanë shkaktuar përmbytje të pjesshme të pistës së rinovuar të Goianës ku do të zhvillohet gara e radhës së këtij botërorit.

Për momentin nuk është në rrezik zhvillimi i kësaj gare, por gjendja e pistës ka shqetësuar kur kanë mbetur vetëm 2 ditë nga starti i kësaj ndalese në një pistë që konsiderohet si totalisht e panjohur për të gjithë pilotët. Dhe shiu mund të komplikojë përshkimin e kilometrazhit të nevojshme për t’u përshtatur me këtë pistë të re. Në këtë moment e vetmja gjë që dihet, është se është një pistë e shkurtër, me kthesa teknike, me pjesë të drejta shumë të shpejta  dhe…se disa zona janë të përmbytura.

Reshjet e shiut nuk ishin në surprizë. Në fakt pritej që të kishte të tilla gjatë javës së Çmimit të Madh të Brazilit, por ai që kapi të gjithë në befasi ishte intensiteti i këtyre reshjeve që mbytën Goianan dhe pistën e saj.

Sipas portalit motorsport.com, zonat më shqetësuese të pistës ishin kthesa e fundit përpara vijës së finishit dhe kthesa e parë ku uji mbulonte krejt pistën. Mbrojtja Civile e Goianës lëshoi alarmin e emergjencës  në telefonat e popullsisë duke i informuar për rrezikun e përmbytjes nga reshjet e shiut duke iu rekomanduar në të njëjtën kohë që të shkojnë në vende të sigurta dhe të evitojnë kalimin në zonat e prekura.

Ndërkaq, ndërsa reshjet vijojnë në Goiana, në pistë janë në garë me kohën për ta bërë atë gati përpara të premtes kur të zhvillohen testet e para të lira të fundjavës së Çmimit të Madh të Brazilit. Parashikimet thonë se reshjet do të vazhdojnë për pjesën e mbetur të kësaj jave dhe organizatorët besojnë se situata do të qetësohet për të zhvilluar me normalitet garën e dytë të sezonit të MotoGP.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB