Shpërthimi me tritol ndaj makinës së agjentit të krimeve, arrestohet pas dy ditësh autori i dyshuar në Lezhë

17/03/2026 09:20

Zbardhet atentati me eksploziv ndaj automjetit të një punonjësi policie në qytetin e Lezhës. Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Zoomed In”, duke identifikuar dhe arrestuar autorin e dyshuar të ngjarjes së ndodhur dy ditë më parë në lagjen “Besëlidhja”.

Në pranga është vënë 32-vjeçari Fatjon Rrika, i cili rezulton me precedent penal në Itali për vjedhje me armë. Ai u kap në fshatin Zhejë, në Kurbin, ndërsa lëvizte me të njëjtin ciklomotor që dyshohet se përdori për të shkuar në vendngjarje ditën e shpërthimit.

Nga hetimet intensive dhe analizimi i pamjeve filmike të siguruara në akse të ndryshme rrugore, policia arriti të dokumentojë lëvizjet e autorit dhe të bëjë të mundur identifikimin e tij. Ngjarja ndodhi më 15 mars, ku automjeti në pronësi të punonjësit të policisë, Gj. Gj., u shkatërrua plotësisht nga një sasi lënde plasëse e vendosur në të. Në vijim të operacionit, është proceduar penalisht edhe babai i autorit, 66-vjeçari N. Rr., pasi gjatë kontrollit në banesë iu gjet një armë gjahu pa leje. Arma dhe ciklomotori janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Ndërkohë, hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës për të identifikuar një tjetër person të dyshuar si bashkëpunëtor në këtë ngjarje. Materialet i janë referuar organit të akuzës për veprime të mëtejshme, ndërsa pritet të zbardhen plotësisht motivet e këtij atentati.

 

 

Top Channel