“Kjo javë është afati i fundit”/ Ministri Demo për Territorialen: Kemi kushtet e duhura për një reformë cilësore

17/03/2026 13:35

Partia Socialiste dhe ajo Demokratike duhet të arrijnë dakordësinë për Reformën Territoriale brenda kësaj jave.

Në një konferencë për media nga selia e ekzekutivit, ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, tha se janë kushtet për një reformë cilësore territoriale, e cila sipas tij, duhet të jetë gjithëpërfshirëse.

“Besoj se kemi kushtet e duhura për reformë cilësore. Por kjo sigurisht nënkupton qasje konstruktive nga të gjitha palët. Jemi në muajin mars, Komisioni është ngritur në muajin tetor, me të njëjtën metodologji mund të humbasim edhe 4 muaj të tjerë, mund të shkojmë edhe deri në 2031. Kushtet janë të atilla, që ne të kemi reformë cilësore, qasja është e qartë, duam të ndërtojmë një sistem për menaxhim sa më të mirë të territorit”, tha ministri.

“Palët të jenë të gatshme të plotësojnë çfarë kërkuan kur u ngrit ky Komision, ku të bashkëdrejtohej, ku asnjë palë nuk bënte dot pa tjetrën dhe kështu me radhë. Për të kërcyer tango duhen dy, ne jemi të hapur patjetër, roli i qeverisë dhe unë jemi të gatshëm për të ndihmuar dhe informuar Komisionin, çfarë duhet të kemi në konsideratë gjatë procesit.

Por kjo është një çështje që vetëm Komisioni e çon para, brenda tij kemi njerëz me kapacitetet, me eksperiencë, që janë të aftë për ta çuar përpara. Nëse ka qëllim të mirë, reforma bëhet. Por nëse kalojmë në proces që kalojmë në situate që e ngadalësojmë procesin, patjetër që e vonojmë dhe është një strategji jo e vështirë për të kuptuar”, shtoi kreu i Pushtetit Vendor.

Top Channel