Përshkrimi i Shën Augustini për “njeriun e përthyer brenda vetes dhe të aftë për t’u shëruar prej ri-përqafimit me Zotin”, frymëzoi piktorin Ena Ziu të çelë ekspozitën e parë vetjake “Hiri”, ku bota bota historike takohet me atë metafizike.
Enea Ziu, piktor u shpreh se “Bëhet fjalë për narrativen biblike që pretendohet që është një e vërtetë historike, por që është edhe mit… Hiri i mbart të dyja këto kuptime, edhe hiri i Zotit, por edhe hiri që mbetet pas zjarrit, diçka tokësore dhe e pavlerë”.
Nga mëkati i parë njerëzor te Eva dhe Adami te vrasja e parë ku Kaini i merr jetën vëllait të tij Abelit apo historia e Kullës së Babelit ku njerëzit u dënuan të flisnin gjuhë të ndryshme, krijimet e Ziut përcjellin mesazh shprese.
“Kam përzgjedhur disa histori specifike që diku tregojnë rënien e njeriut. Mesazhi është që kur bie, edhe në errësirën më të madhe, gjithmonë ka dritë. Mund të gjejmë një dorë që të na nxjerrë nga hiri i zjarrit të na çojë te hiri i Zotit”, shtoi ai.
Pikturat e kanë pikënisjen te ikonografia fetare, por të vendosura në një realitet bashkëkohor, ato vijnë si gjurmë që nxisin kujtesë kolektive dhe reflektim njerëzor.
“Aty arrij të gjej veten dhe të gjej disa përgjigje, në filozofinë materialiste nuk mund ta gjej dot këtë shpresë përballë absurdit të jetës. Që në momentin e mëkatit fillestar të jepet një zgjedhje për të shpëtuar, kur njeriu bie, Zoti bën premtimin që do të sjellë një shpëtimtar”, përfundoi Ziu.
Ekspozita e Enea Ziut, e kuruar nga Kristian Zara që ka përzgjedhur të vendosë bocetet përballë pikturave, do të qëndrojë e hapur në Galerinë Artit Tiranë deri në 29 mars.
Top Channel