Sulme me dronë dhe raketa në Emiratet e Bashkuara Arabe, goditet porti i naftës dhe aeroporti i Dubait

16/03/2026 16:39

Porti kryesor i naftës në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe aeroporti ndërkombëtar i Dubait janë goditur nga sulme me dronë, ndërsa Irani vazhdon të shënjestrojë infrastrukturën e transportit dhe energjisë në rajon.

Fluturimet në aeroportin ndërkombëtar të Dubait u pezulluan përkohësisht të hënën pasi një zjarr shpërtheu pranë aeroportit pas një incidenti me dron. Autoritetet raportuan se disa fluturime u vonuan, ndërsa të tjera u anuluan.

Sipas BBC, një tjetër zjarr i madh shpërtheu në portin strategjik dhe zonën industriale të Fujairah, pas një sulmi me dron. Ky port është një nga qendrat më të mëdha të depozitimit të naftës në rajon dhe ka rëndësi të madhe për tregtinë globale të energjisë.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Emirateve të Bashkuara Arabe, sistemet e mbrojtjes ajrore të vendit shkatërruan gjashtë raketa balistike dhe 21 dronë gjatë ditës së hënë. Që nga fillimi i luftës mes SHBA-së dhe Izraelit nga njëra anë dhe Iranit nga ana tjetër, Teherani ka lëshuar më shumë se 1,900 raketa dhe dronë drejt Emirateve.

Sulmi i së hënës është incidenti i tretë pranë aeroportit të Dubait që nga nisja e konfliktit. Aeroporti i Dubait konsiderohet më i ngarkuari në botë për pasagjerë ndërkombëtarë, ndaj incidentet e fundit kanë goditur edhe imazhin e sigurisë dhe stabilitetit të vendit.

Sektori energjetik i Emirateve është vënë gjithashtu në shënjestër. Një dron goditi një cisternë depozitimi nafte të shtunën, ndërsa një tjetër sulm të hënën goditi objektet e naftës në Fujairah. Aktivitetet e ngarkimit të naftës në port u ndërprenë përkohësisht për të vlerësuar dëmet.

Fujairah ndodhet në bregun lindor të Emirateve, në Gjirin e Omanit, dhe jo në Gjirin Persik. Kjo do të thotë se anijet që shkojnë në këtë port nuk kanë nevojë të kalojnë përmes ngushticës së Hormuzit, një pikë strategjike shpesh e tensionuar në rajon.

Ekspertët e industrisë së naftës thonë se pozicioni i Fujairah e bën atë një nyje kyçe për furnizimin global me energji, veçanërisht në rast se ngushtica e Hormuzit bllokohet. Nafta nga fushat në Abu Dhabi mund të transportohet përmes tubacioneve deri në këtë port dhe të eksportohet në tregjet ndërkombëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB