Serrat e fermerëve greke po ndërtohen me spango shqiptare, edhe pse dy vite më parë Ferdinand Saraçi, këtë linjë prodhimi e ngriti për bujqësinë vendase.
Ai thotë se tkurrja e sipërfaqeve me të mbjella në vendin tonë bën që numri i bujqve shqiptarë që blejnë spango për ferma të jetë shumë herë më i vogël se sa pritshmëritë e fillimit.
“Kjo spango prodhohet këtu në Gos të Kavajës, në Rrogozhinë. Aktualisht ne po bëjmë eksport. Mos të kishte qenë, do të kishim mbajtur punë, sepse me tregun vendas po ndodh braktisja e tokës dhe e blegtorisë. Por kemi Greqinë që po merr produktin tonë”, tha tregtari, Ferdinand Saraçi.
Ajo që i mungon Ferdinandit nuk është as cilësia dhe as tregtia, por fuqia punëtore.
“Mungon forca punëtore, edhe pse pagesat arrijnë nga 700-1 mln të vjetra dhe përsëri nuk po gjejmë punëtorë, sepse shqiptarët po e braktisin vendin”, tha tregtari, Ferdinand Saraçi.
Për t’u përgjigjur kërkesave, Ferdinand thotë që punon me orar të zgjatur dhe pa asnjë ditë pushimi së bashku me familjen.
“Stërmundohemi duke punuar 12-16 orë në ditë, kemi dy punëtorë dhe lodhemi shumë. Mua më duhen edhe 4–5 punëtorë”, tha tregtari, Ferdinand Saraçi.
Ashtu si tregun e spangos, edhe zgjidhjen për punëtorë Ferdinand e gjen jashtë kufijve.
“Edhe këtu, avash-avash, do të mbushet me të huaj. Unë nuk jam rracist, sepse edhe vetë kam qenë në emigrim prej 14 vitesh. Problemi është pse po ikin nga këtu”, tha tregtari, Ferdinand Saraçi.
Rënien e fuqisë punëtore në sektorin e bujqësisë e tregojnë edhe të dhënat nga INSTAT, ku përgjatë vitit 2025 numri i tyre ka shkuar në -9.7%. Punët e fermës dhe jetesa rurale nuk shfaqin interes për të rinjtë shqiptarë.
Top Channel