Bejruti tronditet nga sulmet ajrore, shkon në 850 numri i të vrarëve që nga nisja e konfliktit

16/03/2026 08:59

Disa sulme ajrore goditën gjatë natës periferitë jugore të Bejrutit, ndërsa shpërthime u raportuan edhe në disa zona të Libanit jugor.

Pamjet e publikuara nga Reuters tregojnë një re të madhe tymi mbi zonat jugore të kryeqytetit, të konsideruara si bastion i Hezbollahut, që prej kohësh janë shënjestër e sulmeve ajrore të Izrael.

Ndërkohë, Izraeli ka lëshuar paralajmërime për evakuim për pjesën më të madhe të Libanit jugor, disa zona të kryeqytetit Bejrut si dhe Lugina e Beqaa, në përpjekje për të goditur pzicionet e Hezbollahut në të gjithë vendin.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Libanit, deri të dielën pasdite të paktën 850 persona janë vrarë dhe mbi 2,100 të tjerë janë plagosur që nga nisja e konfliktit. Këto shifra nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Ndërkohë, paqeruajtësit e Organizatës së Kombeve të Bashkuara njoftuan se janë qëlluar me armë gjatë patrullimeve në bazat e tyre, me shumë gjasa nga grupe të armatosura jo-shtetërore, por pa raportime për të lënduar.

Nga ana tjetër, Hezbollah deklaroi se të hënën ka kryer pesë sulme, ndërsa një ditë më parë kishte ndërmarrë 25 sulme që synonin objektiva në Izrael, në Lartësitë e Golanit si dhe pozicione të Forcat Mbrojtëse të Izraelit në territorin libanez.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB