Ndërron jetë filozofi Jürgen Habermas, bota akademike humb një nga mendimtarët më me ndikim të shekullit XX

15/03/2026 08:32

Filozofi dhe sociologu gjerman Jürgen Habermas, një nga intelektualët më të rëndësishëm të Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, ka ndërruar jetë në moshën 96-vjeçare.

Lajmi u konfirmua nga shtëpia botuese Suhrkamp.

Habermas lindi në vitin 1929 në Düsseldorf të Gjermanisë dhe u rrit gjatë periudhës së Gjermanisë naziste. Në rininë e tij ishte pjesë e organizatës rinore naziste, por ishte shumë i ri për të marrë pjesë në Luftën e Dytë Botërore.

Pas luftës ai studioi filozofi dhe mori doktoraturën në Universitetin e Marburgut, përpara se të bëhej profesor në Universitetin e Frankfurtit. Aty u bë një nga figurat kryesore të Shkollës së Frankfurtit, një rrymë mendimi kritike ndaj kapitalizmit dhe shoqërisë moderne.

Së bashku me filozofët Max Horkheimer dhe Theodor Ë. Adorno, ai zhvilloi teorinë kritike, e cila argumenton se shoqëritë moderne kapitaliste shpesh e kthejnë qytetarin aktiv në konsumator pasiv.

Një nga veprat e tij më të njohura është libri “Teoria e Veprimit Komunikativ” (1981), ku ai argumenton se shoqëritë funksionojnë dhe zhvillohen përmes dialogut racional dhe komunikimit të lirë mes qytetarëve, jo vetëm përmes pushtetit politik apo ekonomik.

Habermas u përfshi gjithashtu në debate të rëndësishme historike në Gjermani, veçanërisht mbi interpretimin e Holokaustit. Në fund të viteve ’80 ai kritikoi edhe bashkimin e shpejtë të Gjermanisë Lindore me Perëndimin pas rënies së Murit të Berlinit, duke paralajmëruar rrezikun e ringjalljes së nacionalizmit.

Në vitet ’90 ai u bë një mbështetës i fortë i integrimit europian dhe i një Europe të bashkuar si mënyrë për të shmangur konfliktet nacionaliste.

Gjatë jetës së tij, Habermas u konsiderua një nga zërat më të rëndësishëm të filozofisë politike dhe debatit publik në Europë. Vdekja e tij shënon humbjen e një prej mendimtarëve më ndikues të kohës moderne.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB