Lufta në Lindjen e Mesme, Starmer bisedë telefonike me Trump: T’i japim fund ndërprerjes së transportit detar global

15/03/2026 22:00

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, dhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, biseduan të dielën mbi “situatën aktuale në Lindjen e Mesme dhe rëndësinë e rihapjes së Ngushticës së Hormuzit për t’i dhënë fund ndërprerjes së transportit detar global”, njoftoi Downing Street.

Biseda telefonike mes Starmer dhe Trump zgjati 15 minuta, njoftoi një zëdhënës i Downing Street, sipas të cilit, kryeministri britanik i “ka shprehur ngushëllimet e tij presidentit Trump për personelin ushtarak amerikan, që ka humbur jetën gjatë konfliktit”.

Pas Trump, kryeministri Starmer ka telefonuar edhe homologun e Kanadasë, Mark Carney, me të cilin ka rënë dakord “të diskutojë më tej konfliktin aktual në takimin e tyre të hënën, përtej çështjeve të tjera dypalëshe”.

Biseda telefonike e Starmer me Trump u zhvillua një ditë pasi presidenti amerikan i kërkoi Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera të dërgonin anije luftarake në Gjirin Persik për të ndihmuar në sigurimin e kanalit jetësor të transportit të naftës, që vijon të jetë i mbyllur që nga nisja e luftës ndaj Iranit dy javë më parë.

Më herët gjatë të dielës, kërkesa e Trump për dërgimin e trupave ushtarake në ngushticën e Hormuzit u shqyrtua edhe nga Japonia, Kina dhe Koreja e Jugut.

Një politikan i lartë japonez tha se Japonia nuk do të përjashtonte dërgimin e anijeve luftarake në rajon për të siguruar korridorin e transportit detar, por tha se pengesat ishin shumë të larta. Koreja e Jugut, e varur shumë nga rrjedhat e energjisë përmes ngushticës, tha se i kishte marrë parasysh komentet e Trump, por do të komunikonte ngushtë me SHBA-në dhe do të shqyrtonte situatën përpara se të merrte ndonjë vendim se si të ndihmonte në sigurimin e rrugës së transportit detar.

Edhe Kina u shpreh se do të luajë një rol për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme.

“Kina, si mik i sinqertë dhe partner strategjik i vendeve të Lindjes së Mesme, do të intensifikojë komunikimet me palët e përfshira dhe do të luajë rol konstruktiv për uljen e tensioneve dhe rikthimin e paqes”, thuhet në deklaratë.

Gjashtëmbëdhjetë cisterna janë sulmuar në ngushticën e Hormuzit që kur filloi lufta në fund të shkurtit dhe Irani ka kërcënuar të vendosë mina shpërthyese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB