Gjuetia me dinamit në Vlorë, veprimtaria e paligjshme nuk kursen as fokat, specialistët: Krim ndaj natyrës

15/03/2026 12:37

Gjuetia e paligjshme me dinamit përgjatë vijës bregdetare të Vlorës, përfshirë zonën e Karaburunit madje dhe ishullin e Sazanit, vijon të mbetet një shqetësim serioz për administratën e zonave të mbrojtura dhe për policinë kufitare.

Pavarësisht rasteve kur persona të papërgjegjshëm janë ndëshkuar nga autoritetet, kjo praktikë e paligjshme vazhdon të shfaqet në zona të ndryshme të bregdetit. Vetëm dy ditë më parë, një fokë është gjetur e ngordhur në bregdetin e Pashalimanit. Dyshohet se ngordhja e saj mund të jetë shkaktuar nga shpërthimet me dinamit në det, një metodë e ndaluar që përdoret për kapjen e peshkut. Për specialistët e administratës së zonave të mbrojtura, përdorimi i dinamitit në det përbën një akt kriminal ndaj natyrës.

“Ndikimi i gjuetisë me dinamit ka ndikim negativ për gjallesat nënujore detare. Dje është gjetur një fokë femër e ngordhur në plazhin e Pashalimanit. Shkaku i ngordhjes nuk është përcaktuar ende, sepse ekspertët po bëjnë ekzaminime për faktorët që mund të kenë ndikuar shprehet specialisti. Derisa të dalin rezultatet përfundimtare, nuk mund të thuhet me siguri arsyeja e ngordhjes se fokës. Nëse ka pasur shpërthime ose zhurma nënujore, ato mund të kenë ndikim negativ tek speciet detare (peshq, delfinë, foka, si dhe te bimësia detare”, deklaroi Nexhip Hyskolaj, specialist i zonave të mbrojtura.

Gjuetia e paligjshme, sidomos përdorimi i dinamitit dhe mjeteve të tjera shpërthyese, ka pasur një ndikim shumë të madh dhe negativ në popullatën e peshkut. Për shkak të këtij fenomeni është krijuar një problem serioz, sepse shfrytëzimi i pakontrolluar dhe i paligjshëm ka çuar në zvogëlimin e vazhdueshëm të sasisë së peshkut nga viti në vit. Pa dyshim që gjuetia me dinamit ka një ndikim shumë të madh. Së pari, dinamiti dëmton pa dallim peshqit e mëdhenj dhe të vegjël. Së dyti, shumë nga personat që e përdorin e bëjnë këtë në periudhat e shumimit të peshkut, kur peshqit grumbullohen për të hedhur vezët. Kjo bën që në një shpërthim të vetëm të shkatërrohen sasi shumë të mëdha peshqish”, thotë Sherif Dyrmishi, peshkatar.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, ADZM monitoron vetëm Parkun Detar të Karaburunit dhe sqarojnë se për sa kohë kanë qenë në terren nuk kanë evidentuar raste të gjuetisë me dinamit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB