Tensionet në Lindjen e Mesme, Izraeli miraton 827 mln dollarë shtesë për blerje emergjente ushtarake Në ditën e 16 të konfliktit me Iranin, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se fundi i luftës mund të jetë i afërt, por sipas tij kushtet për një marrëveshje nuk janë ende të favorshme.
Duke folur për zhvillimet e fundit, Trump tha se Teherani ka shprehur gatishmëri për të mbyllur konfliktin, megjithatë Uashingtoni nuk është ende gati të japë dritën jeshile për një marrëveshje. “Ata duan ta përfundojnë, por kushtet nuk janë ende mjaftueshëm të mira”, u shpreh presidenti amerikan.
Trump komentoi edhe situatën në udhëheqjen iraniane, duke ngritur pikëpyetje mbi fatin e liderit të ri suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei. “Kam dëgjuar se ai mund të mos jetë më gjallë. Nëse është gjallë, duhet të bëjë diçka shumë inteligjente për vendin e tij: të dorëzohet”, deklaroi ai.
Deklaratat e Trump u kundërshtuan menjëherë nga diplomacia iraniane. Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, reagoi duke theksuar se udhëheqësi suprem është në gjendje të mirë dhe vijon të drejtojë vendin. “Ai është mirë dhe në qeveri. Situata në vend është e qëndrueshme”, tha Araghchi.
Ndërkohë tensionet në rajon vijojnë të përshkallëzohen. Gjatë natës u raportuan sulme të reja në Liban, ku sipas Ministrisë së Shëndetësisë libaneze, forcat e Izraelit kryen dy bastisje ajrore që shkaktuan të paktën 14 viktima, mes tyre edhe katër fëmijë.
Pas sulmeve reagoi menjëherë edhe garda Revolucionare Islamike e Iranit, e njohur si “Pasdaran”, duke paralajmëruar hakmarrje dhe lëshoi kërcënime të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. Në një deklaratë të tyre thuhet se ai “do të ndiqet dhe do të vritet”.
Top Channel