SHBA dhe Izraeli godasin një fabrikë prodhimi në Iran, të paktën 15 viktima dhe disa të plagosur

14/03/2026 18:31

Të paktën 15 persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur pasi një fabrikë në qytetin industrial të Isfahanit në Irani, u godit nga një sulm amerikano-izraelit.

Sipas raportimeve, sulmi goditi një fabrikë që prodhonte pajisje për ngrohje dhe ftohje.

Raportohet se disa punëtorë ndodheshin në objekt në momentin e sulmit, çka ka rritur numrin e viktimave. Autoritetet lokale nuk kanë dhënë ende një bilanc përfundimtar për të plagosurit.

Lufta në Lindjen e Mesme mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit është futur në javën e saj të tretë.

Mbrëmjen e ditës së djeshme presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi se ushtria amerikane kishte goditur të gjitha objektivat ushtarake iraniane në Ishullin Kharg, ishull nga ku Irani nis 90% të eksporteve të naftës.

Presidenti gjithashtu kërcënoi se do godiste infrastrukturën iraniane të naftës nëse Teherani nuk lejon lëvizjen e lirë të anijeve të mallrave dhe të naftës e gazit natyror në ngushticën e Hormuzit.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB