Robert Lewandowski nuk i shuan ëndrrat e Juventus e Milan: Sot për sot nuk kam çfarë të them për të ardhmen time…
Presioni te Tottenham e sidomos trajneri Igor Tudor pas humbjes 5-2 ndaj Atletico Madrid në ndeshjen e parë të 1/8 të finaleve të Ligës së Kampioneve është rritur shumë.
Skuadra londineze ditën e dielë ka një ndeshje delikate, atë me Liverpool në Anfield, sfidë ku ajo shkon pas 4 humbjeve radhazi me Tudor në pankinë, që përbën një rekord për Tottenham, si dhe me 6 humbje radhazi në të gjitha kompeticionet, edhe ky një rekord.
Këto rezultate kanë bërë që të shtohen zërat për një shkarkim të Igor Tudor nga pankina e Hotspurs, por trajneri kroat thekson se problemet në skuadër janë shumë më të mëdha nga sa imagjinonte ai dhe se ato nuk do të largohen me ardhjen e një trajneri të ri.
‘Njerëzit mendojnë se një trajner i ri do të vijë, do të ndryshojë gjërat dhe problemet do të zgjidhen-tha Tudor në një intervistë për Sky Sports-kjo më bën të qesh. Kur njerëzit duan një trajner të ri, është një shpresë e re. Njerëzit gjithnje duan shpresa të reja që gjërat të ndryshojnë, por realiteti është krejt ndryshe. Realiteti nuk është ky. Në këtë botë ku çdokush ka një opinion, ti nuk mund të fitosh kurrë. Por si trajnerë, ne duhet të fokusohemi në atë që mund të ndryshojmë. Duhet të ruajmë qetësinë dhe të besojmë te vetja’.
Tottenham ka një seri prej 11 ndeshjesh pa fitore në Premier League dhe pozicionohet në vendin e 16, me 1 pikë më shumë se ëest Ham në vendin e 18 dhe kur kanë mbetur 9 javë nga fundi i kampionatit, hija e rënies nga kategoria që nuk ndodhte që nga 1977, është shumë e madhe. Megjithatë Tudor ka ende besim se ai mund të ndihmojë futbollistët që të përmbysin këtë situatë të vështirë
‘Nuk ndihem mirë sepse nuk kemi rezultate-shtoi Tudor-problemet janë më të mëdha nga sa i mendoja. Ka një pështjellim emocionesh. Unë kam ende dhe do të kem besimin për t’u përpjekur dhe ndryshuar gjërat. Por problemet gjithnjë dalin nga askundi sic është një karton i kuq apo ajo çfarë ndodhi në ndeshjen e fundit. Çdo gjë për të cilën ti punon dhe përgatitesh fshihet dhe asgjë nuk ka të bëjë me ty si trajner dhe kjo të frustron pak. Në anën tjetër, unë i shoh djemtë dhe ata duan që të ndryshojnë gjërat. Nuk është e lehtë për ta, ata janë të rinj që e njohin momentin e vështirë. Është e nevojshme që të gjej forcë në atë çfarë po bëj dhe detyra ime është të ndihmoj lojtarët’.
Top Channel