Bundesliga/ Bayern me 9 lojtarë barazon me Leverkusen, Dortmund i afrohet në 9 pikë

14/03/2026 17:53

Bayerni i Mynihut frenon vrullin e tij në Bundesligën gjermane. Skuadra e drejtuar nga Vincent Kompany doli nga BayArena nga ndeshja me Bayer Leverkusen me 1 pikë pasi barazoi 1-1, një rezultat që konsiderohet i mirë duke parë si rrodhën ngjarjet.

Bayer Leverkusen e nisi në mënyrë perfektë ndeshjen teksa që në minutën e 6 mori avantazhin në 1-0 me golin e Alex Garcia. Pak para fundit të pjesës së parë, Bayerni i Mynihut e pa veten në inferioritet numerik pasi Nicolas Jackson u ndëshkua me karton të kuq dhe skuadrat shkuan në pushimin e ndeshjes me avantazhin 1-0 të Leverkusen. Pritej që skuadra e aspirinave të përfitonte nga superioriteti numerik në pjesën e dytë, por  Bayerni i Mynihut shënoi golin e barazimit me Luis Diaz në 1-1. Kolumbiani më vonë, pikërisht në minutën e 84 u bë protagonist në aspektin negativ për skuadrën bavareze pasi u ndëshkua me karton të kuq me kampionët e Gjermanisë që mbetën me 9 futbollistë. Gjithsesi rezultati nuk ndryshoi më dhe mbeti 1-1 me Bayernin që shkon në 67 pikë dhe diferenca me Borussia Dortmund bie në 9 pikë.

Skuadra verdhezi nuk gaboi në ndeshjen e saj dhe në Signal Iduna Park mundi Augsburg me rezultatin 2-0. Karim Adeyemi zhbllokoi rezultatin në minutën e 13 për skuadrën e drejtuar nga Nico Kovac, ndërsa në pjesën e dytë, Luca Reggiani dyfishoi shifrat në 2-0 me Borussia Dortmund që mori 3 pikë shumë të vlefshme.

Rezultatet në Bundesligë

Bayer Leverkusen-Bayern München 1-1

Borussia Dortmund-Augsburg 2-0

Eintracht Frankfurt-Heidenheim 1-0

Hoffenheim-Wolfsburg 1-1

Top Channel

DIGITALB DIGITALB