“Irani nuk do të ketë më kapacitet për të prodhuar armë”, sekretari amerikan i Mbrojtjes: Plani ynë është t’i mposhtim dhe t’i shkatërrojmë

13/03/2026 16:57

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se aftësia e Iranit për prodhimin e raketave është goditur rëndë dhe se kapacitetet kryesore ushtarake të vendit po neutralizohen.

“Plani ynë është të mposhtim, shkatërrojmë dhe neutralizojmë të gjitha aftësitë e tyre të rëndësishme ushtarake me një ritëm të paparë. Nuk bëhet fjalë vetëm për faktin se Irani nuk ka një forcë ajrore funksionale, apo që pjesa më e madhe e flotës së tij detare është shkatërruar në Gjirin Persik, apo që forca e tij raketore po zvogëlohet çdo ditë”, tha Hegseth.

Ai theksoi gjithashtu se kapacitetet industriale të mbrojtjes së Iranit po goditen drejtpërdrejt.

“Më e rëndësishmja është se Irani nuk zotëron dhe shumë shpejt nuk do të zotërojë kapacitetin për të prodhuar më tej armë. Vetëm në dy ditët e fundit, i gjithë kapaciteti i prodhimit të raketave balistike në Iran, çdo kompani që prodhon komponentë për këto raketa, është neutralizuar në mënyrë efektive”, u shpreh ai.

Sipas tij, ndërtesa, komplekse industriale dhe linja prodhimi në pjesë të ndryshme të Iranit janë shkatërruar.

“Ne po godasim dhe shkatërrojmë raketat që ata kanë ende në magazinë, por më e rëndësishmja është se po sigurohemi që të mos kenë më kapacitet për të prodhuar të tjera. Linjat e prodhimit, objektet ushtarake dhe qendrat e inovacionit në mbrojtje janë mposhtur”, përfundoi Hegseth.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB