Mesfushori i kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani, ka treguar rrugëtimin e tij të gjatë drejt stabilitetit në elitën e futbollit italian.

Në një dokumentar të Serie A, lojtari i Lecce-s ndau disa nga momentet më të rëndësishme të karrierës dhe jetës së tij, duke kujtuar fillimet e vështira dhe mbështetjen vendimtare të familjes.

Ramadani theksoi se gjatë karrierës së tij ka udhëtuar shumë dhe ka mësuar nga kultura të ndryshme, ndërsa tani ndihet shumë mirë në qytetin italian. “Tani luaj te Lecce dhe ndihem sikur jam në shtëpi. Ka plazh, diell dhe një atmosferë shumë të bukur,” u shpreh ai. Mesfushori pranoi gjithashtu se lufta për mbijetesë në kampionat sjell presion të madh për çdo futbollist. “Kur rezultatet nuk shkojnë siç dëshiron, presioni rritet shumë. Megjithatë këtu kam mësuar shumë dhe jam shumë i lumtur,” shtoi Ramadani.

Ai kujtoi edhe rolin e rëndësishëm të babait në karrierën e tij. Në fillim, sipas tij, i ati nuk ishte i bindur që futbolli ishte rruga e duhur, por më vonë u bë mbështetësi i tij më i madh. “Gjithmonë e falënderoj babanë tim, sepse më pas ai u bë krahu im i djathtë,” tregoi lojtari shqiptar.

Ramadani u ndal edhe te mbështetja e tifozëve të Lecce-s, të cilët i kanë dedikuar këngë dy futbollistëve shqiptarë të ekipit. “Është një ndjenjë e bukur, sepse e ndiejmë pasionin e tyre. Bashkë me Medon Berisha duam t’ua shpërblejmë këtë besim duke mbajtur ekipin në Serie A,” tha ai.

Mesfushori shtoi se mungesa e Berishës ndihet shumë në skuadër për shkak të cilësive dhe goditjeve të tij nga distanca. Ramadani është tashmë një titullar i rëndësishëm te Lecce dhe pjesë e klubit prej tri vitesh, ndërsa kontrata e tij pritet të zgjatet automatikisht edhe për një sezon tjetër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB