LIVE/ Sulmohet anija e mallrave në Ngushticën e Hormuzit. Irani godet fqinjët dhe paralajmëron për dyfishimin e çmimit të naftës, Trump: Fundin e vendos unë!
Faza e fundit e gjyqit ndaj “Agimit të Artë” në Greqi u mbyll me një vendim historik dhe përfundimtar: Gjykata Penale e Apelit me pesë anëtarë la në fuqi thelbin e vendimit të vitit 2020, duke konfirmuar se “Agimi i Artë” funksiononte si organizatë kriminale nën petkun e një partie politike.
Gjykata shpalli fajtorë të 42 të pandehurit e çështjes, duke riafirmuar dënimet për drejtimin e organizatës, për vrasjen e reperit antifashist Pavlos Fyssas dhe për sulme të tjera të dhunshme që u lidhën me veprimtarinë e saj.
Kjo ishte faza më e rëndësishme e procesit të apelit, i cili zgjati rreth katër vjet. Pas vendimit mbi fajësinë, gjykata kaloi në fazën e fundit: shqyrtimin e rrethanave lehtësuese, caktimin e dënimeve dhe vendimin se cilët të dënuar do të ktheheshin menjëherë në burg, cilët do të përfitonin pezullim ose konvertim të dënimit. Pikërisht kjo pjesë u mbyll sot.
Për drejtimin e organizatës kriminale, gjykata la në fuqi dënimet e shkallës së parë: 13 vjet burg për Nikos Michaloliakos, Ilias Kasidiaris, Ioannis Lagos, Giorgos Germenis, Christos Pappas dhe Ilias Panagiotaros, ndërsa Artemios Matthaiopoulos u dënua me 10 vjet burg. Për Georgios Roupakias, autorin e vrasjes së Pavlos Fyssas, u la në fuqi dënimi me burgim të përjetshëm dhe 10 vjet shtesë.
Për 10 të pandehur u caktuan dënime më të ulëta. Mes tyre ishte edhe Eleni Zaroulia, bashkëshortja e Michaloliakos dhe ish-deputete e partisë, dënimi i së cilës zbriti nga 6 në 5 vjet burg.
Pas shpalljes së dënimeve, gjykata vendosi edhe për fatin penal të të dënuarve. Katër persona, të cilët nuk kishin kaluar asnjë ditë në burg gjatë gjithë procedurës, u dërguan tani në burg. Këta ishin: Eleni Zaroulia, e dënuar me 5 vjet për pjesëmarrje në organizatë kriminale; Giorgos Dimou, i dënuar me 7 vjet për bashkëpunim në vrasjen e Pavlos Fyssas dhe për pjesëmarrje në organizatë kriminale; Konstantinos Papadopoulos, i dënuar me 7 vjet për tentativë vrasjeje ndaj peshkatarëve egjiptianë dhe për pjesëmarrje në organizatë kriminale; si dhe Georgios Skalkos, i dënuar me 7 vjet për bashkëpunim në vrasjen e Fyssas dhe për pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Në të njëjtën kohë, gjykata theksoi se nga 42 të pandehurit, 24 kishin kryer tashmë dënimet e tyre dhe ishin liruar me kusht. Për 11 të dënuar që nuk i kishin vuajtur plotësisht dënimet, gjykata ose i konvertoi dënimet në gjobë, ose u dha pezullim të ekzekutimit. Në burg mbetën edhe Georgios Roupakias ,autori I vrasjes së reperit antifashist, si dhe ish-deputetët Ilias Kasidiaris dhe Ioannis Lagos.
Mbyllja e gjyqit pati edhe një ngarkesë të madhe simbolike. Jashtë gjykatës, nëna e Pavlos Fyssas, Magda Fyssa, doli thellësisht e emocionuar, duke mbajtur një pankartë ku shkruhej: “Pavlo, ia dolëm ,i munde nazistët”,ndërsa në deklaratte e saj për mediat ajo mes lotësh, shtoi: “Po marr Pavlon tim dhe po iki”.
Reagimi i saj u bë një nga momentet më të forta të ditës, duke simbolizuar jo vetëm fundin e një beteje të gjatë gjyqësore, por edhe një lloj drejtësie morale për vrasjen që në vitin 2013 tronditi Greqinë dhe hapi rrugën për zbardhjen e veprimit të organizuar të “Agimit të Artë”.
Vendimi final i apelit e mbyll kështu, në planin penal, një nga proceset më të rëndësishme të historisë moderne greke. Gjykata jo vetëm që konfirmoi se “Agimi i Artë” nuk ishte thjesht një forcë politike ekstremiste, por një rrjet kriminal i organizuar, por dha edhe një mesazh më të gjerë për sistemin demokratik grek: dhuna politike, racizmi i organizuar dhe strukturat neonaziste mund të kenë fituar hapësirë në një periudhë krize, por në fund u përballën me dënim të plotë nga drejtësia.
Top Channel