Mira Murati marrëveshje miliardëshe, startup i saj bashkëpunon me Nvidia për super-infrastrukturë të inteligjencës artificiale

11/03/2026 12:39

Mira Murati ka arritur një marrëveshje me gjigantin amerikan të çipave Nvidia për furnizimin me procesorë të avancuar për inteligjencën artificiale, një partneritet që mund të arrijë në dhjetëra miliarda dollarë.

Sipas Financial Times dhe Reuters, startup-i i Muratit, Thinking Machines, do të përdorë çipat e gjeneratës së ardhshme “Vera Rubin” të Nvidia për të ndërtuar infrastrukturë të avancuar për zhvillimin e inteligjencës artificiale për bizneset. Kompania me seli në San Francisko njoftoi se partneriteti parashikon instalimin e të paktën një gigavati kapacitet kompjuterik në qendra të dhënash me teknologjinë e Nvidia.

Sipas vlerësimeve të vetë kompanisë, një qendër e tillë për inteligjencën artificiale mund të kushtojë 50–60 miliardë dollarë, ku një pjesë e madhe e kostos lidhet me pajisjet e Nvidia. Në një deklaratë për mediat, Murati theksoi se teknologjia e Nvidia është baza mbi të cilën është ndërtuar industria e inteligjencës artificiale.

Startup-i Thinking Machines, i themeluar nga Murati rreth një vit më parë, po zhvillon platformën Tinker, e cila u mundëson kompanive të personalizojnë modele të mëdha gjuhësore pa pasur nevojë të ndërtojnë vetë infrastruktura komplekse për trajnimin e tyre.

Nga ana tjetër, drejtori ekzekutiv i Nvidia, Jensen Huang, deklaroi se kompania është e gatshme të bashkëpunojë me startup-in e Muratit për të zhvilluar gjeneratën e ardhshme të teknologjive të inteligjencës artificiale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB