“Greqia po hap një faqe të re”/ Pas deklaratës së kryeministrit Mitsotakis për energjinë bërthamore, reagojnë ashpër deputetët
Kryeministri britanik Keir Starmer ishte paralajmëruar se marrëdhënia e Peter Mandelson me famëkeqin Jeffrey Epstein përbënte një “rrezik të përgjithshëm për reputacionin” përpara emërimit të tij si ambasador i Britanisë në Shtetet e Bashkuara.
Sipas një raporti të përgatitur nga ekipi i Starmer në dhjetor të vitit 2024, zyrtarët kishin përmbledhur informacionet e njohura publikisht mbi lidhjet e politikanit veteran të Partisë Laburiste me Epstein, i cili ishte dënuar për krime seksuale.
Në raport thuhet se marrëdhënia mes tyre vazhdoi edhe pasi Epstein u dënua për herë të parë në vitin 2008. Sipas dokumentit, kontaktet mes tyre vijuan gjatë viteve 2009–2011. Raporti thekson gjithashtu se Mandelson thuhet se kishte qëndruar në shtëpinë e Epstein në qershor të vitit 2009, ndërkohë që ky i fundit ishte në burg.
Starmer u përball me kritika dhe pyetje të forta për vendimin e tij për ta emëruar Mandelson ambasador në SHBA. Megjithëse lidhjet mes tyre ishin të njohura publikisht prej vitesh, dosjet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së sollën prova të reja mbi thellësinë dhe kohëzgjatjen e marrëdhënies së Mandelson me Epstein, e cila kishte vazhduar edhe pas dënimit të financierit në vitin 2008.
Kryeministri e shkarkoi Mandelsonin nga posti në shtator, pas një publikimi të mëhershëm të dokumenteve nga Departamenti amerikan i Drejtësisë. Një tjetër grup dosjesh të publikuara në janar shkaktoi zemërim të ri publik, duke bërë që qeveria laburiste britanike të pranonte të publikonte qartë se çfarë dinte për lidhjet e Mandelson me Epstein në momentin e emërimit të tij.
Dokumentet e verifikimit i referohen gjithashtu një raporti të vitit 2019 të porositur nga JPMorgan, i cili citon të dhëna personale të Epstein që tregojnë se marrëdhënia e tij me Mandelson kishte nisur që në vitin 2002 dhe kishte vazhduar gjatë gjithë viteve 2000. Në raportin e dorëzuar Starmer theksohej qartë se kjo përbënte një “rrezik të përgjithshëm reputacional”.
Dosjet zbulojnë gjithashtu se këshilltari për sigurinë kombëtare i Starmer, Jonathan Poëell, e kishte konsideruar emërimin e Mandelson si “të pazakontë”. Në një bisedë telefonike me avokatin e kryeministrit pas shkarkimit të Mandelson, Poëell kishte shprehur shqetësime për reputacionin e tij si bashkëpunëtor i afërt i kryeministrit dhe kishte thënë se procesi i emërimit i dukej “çuditërisht i nxituar”.
Një tjetër dokument në dosje zbulon se avokatët e Mandelson kishin kërkuar që atij t’i paguhej pjesa e mbetur e kontratës katërvjeçare si ambasador, e cila arrinte në 547,201 paund (rreth 730 mijë dollarë). Në fund, ai mori vetëm 75,000 paund, rreth 100 mijë dollarë.
Muajin e kaluar, policia britanike arrestoi Mandelson nën dyshimin për shpërdorim detyre. Ai u lirua pas marrjes në pyetje, por mbetet ende nën hetim. Mandelson ka mohuar çdo shkelje penale dhe më herët ka deklaruar se ndihet “thellësisht i tronditur” për miqësinë e tij me Epstein dhe për vuajtjet e viktimave të tij.
Top Channel