Denoncimi i Fiks Fare/ Video e ryshfetit 9.5 milionë lekë që implikon drejtorin dhe menaxherin e bankës shtetërore

11/03/2026 21:02

Fiks Fare denoncoi një skandal që ndodh brenda zyrave të shtetit, ku një drejtor dhe një menaxher pronash, në një bankë shtetërore, pranojnë se kanë marrë një ryshfet të majmë për t’i ridhënë nëpërmjet ankandit një qytetari pronën e familjes së tij.

Me zë, figurë dhe dokumente, emisioni investigativ publikoi bisedën e dy zyrtarëve me qytetarin, ku pranojnë se morën një shumë prej 950 mijë lekësh të rinj, rreth 10 mijë euro.

Të implikuar janë Klevi H., drejtor i ankandeve dhe vartësi i tij, Erald Xh., menaxher pronash, të dy zyrtarë të lartë të Agro Kredit, një shoqëri aksionere, shtetërore, në pronësi 100 % të Ministrisë së Financave. Objekti i saj është “të gjitha format e kredi dhënies, duke përfshirë kredinë hipotekore e konsumatore”. Në datën 18 shkurt 2026, Agro Kredit ka hapur një ankand, për pronën me sipërfaqe 7363 metër katrorë, e ndodhur në fshatin Picar të Gjirokastrës.

Kjo pronë i është sekuestruar familjes Mahmutaj, pas një kredie të marrë në vitin 2008 dhe që nuk u pagua. Duke qenë bashkëpronar, denoncuesi Teki Mahmutaj ka kërkuar që t’a blejë ai këtë pronë. “Në vitin 2008 xhaxhai ka marrë një kredi te Agro Kredit. Ai kredinë nuk e shleu dhe banka na sekuestroi pronat. Tokën e kishim në bashkëpronësi me fisin dhe xhaxhallarët” tha Tekiu për Fiks Fare, duke shtuar se, një ditë para intervistës, udhëtoi nga fshati Picar i Gjirokastrës për në Tiranë, pasi kërkon me ngulm që të blejë pronën.

Por, takimi i datës 18 shkurt 2026, nuk është bërë në zyrat e vetë shtetit dhe të Agro Kredit në Sauk, por në një lokal në Tiranë. “Në këtë takim, u kam dhënë 9 milionë e gjysmë lekë, kafe. Ia kam dhënë Klevisit, mbiemrin s’ia di, drejtor thoshte se ishte. Lekët ia kam dhënë në një lokal, në Tiranë. Si vend e mbaj mend. Më thanë se në datën 10 mars duhet të paguaja dhe 7 milionë e 430 mijë lekë. Do të venë 17 milionë lekë (të vjetra) të tëra. Dhe që borxhi është vetëm 7 milionë lekë” pohon Tekiu.

Ai shton se, disa orë pas takimit, ka parë dokumentet që ka fotografuar në këtë takim, që është edhe shpallja e ankandit. Në letra ka parë se shuma e ankandit ishte 743 mijë lekë të rinj. “Kafenë ma mori Klevisi dhe sot (në datën 19 shkurt 2026) m’i ka kthyer, i kam në xhep lekët” pohon qytetari, teksa tregon para kamerës së Fiks Fare shumën e parave. Paratë ishin me një qese. “Ja shuma, m’i ka kthyer Klevisi. Janë 9 milionë e gjysëm lekë. M’i mori kafe këto, këto ishin kafe! Unë bëra kafenë dje. Më pas do paguaja edhe atë shifrën tjetër. Më tha do të paguash 7.430.000 lekë dhe mos zë emra në gojë se sa lekë e more tokën më tha” shton qytetari.

Ai tregon se këtë bisedë ia ka bërë Klevisi, drejtori i ankandit në Agro Kredit. “Ishin dy, po njërit s’ia mbaj mend emrin. Prezent ka qenë dhe dajua im, Zubo Çulli, ai ishte sekseri i kësaj pune. Këta ishin të shtetit. Vjet këta më erdhën në shtëpi dhe më kërcënuan mamanë, na kanë nxjerrë jashtë nga prona. Këta ma kanë marrë dhe unë paguaj taksën e bashkisë” tregon Tekiu.

Më pas pohon se ideatori i të gjithë historisë është Klevisi. “Tani unë dua të blej tokën time. Ata e kanë hedhur në ankand dhe në 10 mars do shpallet edhe fituesi. Unë i kam plotësuar të gjitha dokumentet. Unë i plotësova te këta 2 persona në një lokal, s’vajtëm te zyra. I plotësova te i njëjti lokal ku dhashë dhe këtë shumën” vijon qytetari, ku pohon se pas pagesës ka parë letrat dhe në to ishte shkruar shuma prej 743 mijë lekësh dhe jo 950 mijë sa ka paguar. “Ky 9 milionëshi ishte kafeja e tyre dhe Klevisi më tha disa herë mos zër emra në gojë, as shumën dhe asnjë gjë. Më tha se e kanë dashur shumë tokën. Me këtë shumë ai merrte përsipër që t’më shpallte mua fitues të ankandit” thotë Tekiu.

Një ditë pasi qytetari, Teki Mahmutaj, bëri pagesën prej 950 mijë lekësh në një lokal në Tiranë, ai shkoi në zyrat e Agro kredit në Sauk, për të takuar dy zyrtarët. Një punonjëse i tregon se Klevisi është drejtor dhe Eraldi është punonjës te pronat. Në pamundësi të takimit, Tekiu telefonon Klevisin dhe kërkon të mësojë më shumë mbi ankandin!

Disa minuta pas telefonatës, në afërsi të Agro Kredit, shkon Klevisi dhe merr në makinë Tekiun dhe të afërmin e tij. Gjatë rrugës, drejtori i ankandit merr në automjet edhe vartësin e tij, Eraldin. Të katërt, ulen në një lokal në zonën e Saukut, dhe bisedojnë për takimin e një dite me parë, ditë në të cilën qytetari ka bërë pagesën prej 950 mijë lekësh të rinj. Në bisedë del edhe emri i një personi tjetër, me emrin Zubo, i cili është i afërmi i denoncuesit. Nga biseda rezulton se ky person ka qenë sekseri, pra lidhja mes denoncuesit dhe zyrtarëve të Agro Kredit.

Në këtë takim, qytetari i thotë se këta zyrtarë i kanë marrë shumën prej 950 mijë lekësh. “Ju m’i keni marrë, ti dhe ti. Kemi qenë në lokal të katërt” iu drejtohet ai. Më pas, njëri prej tyre, menaxheri i pronave, Eraldi i drejtohet me një ton kërcënues. “O shoku, nuk më njeh mirë fare mua se po i ngatërron çik gjërat ti. Po i ngatërron çik si shumë. Kaq po të thotë Aldua, po i ngatërron çik gjërat. Ke ardhur me dajkon tënd, merre dajkon të vij tani” i thotë ai, teksa Tekiu u thotë se i ka marrë shmën dhe i ka thënë që mos të tregojë. “Ore po marr Zybon, i ka Zybua lekët ore! Ia kemi dhënë lekët Zybos. Ia kam dhënë atj, ia ktheva 9 milionë e gjysmën” pohon Eraldi, duke pranuar se një ditë më parë ka marrë edhe ryshfetin e majmë.

Më pas, i njëjti zyrtar thotë se ditën e takimit, pra më 19 shkurt 2026, ia ka kthyer shumën e ryshfetit dajos së denoncuesit. “Ia kam kthyer sot. I ka Zybua vlla. Të vij dhe t’i merrni në praninë tonë” i thotë ai.

****

Qytetari shkon te zyrat e “Agro Credit” në Sauk, Tiranë

Qytetari – Kërkoj çik Klevisin, kemi një çështje ankandi.
Punonjësja – Ke folur me Klevisin?
Qytetari – Fola dje, e takova dje. Klevisi është drejtor i ankandeve apo jo?
Punonjësja – Po, po.
Qytetari – Edhe nëndrejtorin e takova dje!
Punonjësja – Në rregull, ja të shikoj nëse është këtu.

Pas disa minutash …

Punonjësja – Klevi ka lëvizur për momentin po më thanë që është duke ardhur.
Qytetari – Ku ta pres?
Punonjësja – Nëse do mund ta marrësh.
Qytetari – Tani Klevi është drejtor?
Punonjësja – Është drejtor.
Qytetari – Po ai djali tjetër me të?
Punonjësja – Me kë djalë tjetër? Eraldi?
Qytetari – Ai që është me origjinë nga Mallakastra.
Punonjësja – Po dhe ai është aty me Klevin. Me pronat është dhe ai.

Tekiu telefonon Klevisin dhe kërkon të mësojë më shumë mbi ankandin!

Qytetari – Tekiu jam.
Klevisi – Po teki!
Qytetari – Desha të takoj një çikë, ku mund të takoj një çikë? Po të pres, këtu te zyra jam, mos u vono.
Klevisi – Mirë.
Qytetari – Hajde, hajde.

Disa minuta pas telefonatës, në afërsi të Agro Kredit, shkon Klevisi dhe merr në makinë Tekiun dhe të afërmin e tij. Gjatë rrugës, drejtori i ankandit merr në automjet edhe vartësin e tij, Eraldin.

Qytetari – Merre dhe këtë, hajde. Të takojmë dhe këtë Mallakastriotin këtu ne. Hajde thuaj, hajde.
Eraldi – Si jeni! Ça problemi ka?
Qytetari – Do llafosemi ça do bëjmë. Tani me letra sa është kjo?
Eraldi – 7 milionë e gjysëm.
Qytetari – Po unë të dhashë 9 milionë e gjysëm t’i dhashë dje.
Eraldi – Kujt ia dhe?
Qytetari – Këtij (Klevisit, drejtorit).
Eraldi – Kujt?
Qytetari – E mo këtyre,
Eraldi – Po merre çik Zybon (dajën e qytetarit) në telefon?
Qytetari – Ç’e dua Zybon unë. Të lashë kafenë.
Eraldi – I ke lënë për mend e kokës. Pse për mua i ke lënë, ke hallin tënd. Për ça?
Qytetari – Si për ça, në dokumente 7 e gjysëm, kështu 17-të.
Eraldi – Unë me letra mund t’a jap edhe 100 ty unë! Atë e shes sa të dua unë o vëlla. Se tani jam unë pronari ekzekutiv i asaj, s’je ti.

Të katërt, ulen në një lokal në zonën e Saukut, dhe bisedojnë për takimin e një dite me parë, ditë në të cilën qytetari ka bërë pagesën prej 950 mijë lekësh të rinj. Në bisedë del edhe emri i një personi tjetër, me emrin Zybo, i cili është i afërmi i denoncuesit. Nga biseda rezulton se ky person ka qenë sekseri, pra lidhja mes denoncuesit dhe zyrtarëve të Agro Kredit.

Klevisi – Ka nja 2 muaj që merr në telefon.
Qytetari – Unë të kam marrë disa herë.
Klevisi – E kam në ankand?
Qytetari – Po.
Klevisi – Ne kemi hapur ankand. Të kam lajmëruar që do hidhet ankandi, po të kam lajmëruar. Hidhet ankandi, ça date është ankandi?
Eraldi – Në datën 10 (mars).
Klevisi – Bravo. Hidhet ankandi në datën 10, ku ble tokën. Shumë e thjeshtë gjëja. Në datën 10 paraqitu.
Qytetari – Dakort mo. Ore unë erdha për një problem tjetër.
Klevisi – Ça problemi vlla?
Qytetari – Unë kam një problem me ty, me këtë (Eraldin) dhe me dajkon tim.
Eraldi – Me mua dhe me këtë (Klevisin) ça problemi ke?
Qytetari – Ja, ua them unë! U kam dhënë dje 9 milionë e gjysëm lekë.
Klevisi – Kujt ia ke dhënë?
Qytetari – Këtij dhe dajkos tim.
Eraldi – Ia ke dhënë dajkos ti, jo mua.
Qytetari – Do të flasim të vërtetën, apo do të gënjejmë.
Eraldi – Të vërtetën, të vërtetën.
Qytetari – Unë jam me 2 fëmijë, s’jam …
Eraldi – O shoku, nuk më njeh mirë fare mua se po i ngatërron çik gjërat ti. Po i ngatërron çik si shumë. Kaq po të thotë Aldua, po i ngatërron çik gjërat. Ke ardhur me dajkon tënd, merre dajkon të vij tani.
Klevisi – Se ça ka bërë dajkua me ty, ç’punë kam unë.
Eraldi – Se ça bën dajkua me ty …
Qytetari – Dëgjo një çik, ne të kemi dhënë 9 milionë e gjysëm lekë. O Zotëri …
Eraldi – Një sekondë, një sekondë …
Qytetari – Po atë nuk më the që do të paguash dhe 7 milionë e 400 mijë dhe mos e zë në gojë?
Eraldi – Një sekondë.
Qytetari – Dhe këtë s’ma the, dhe këtë e ashtu mo?
Eraldi – E ke në letra ti, aq do t’i paguash se s’bën ti o.
Qytetari – Ore i paguaj unë, o Zotëri. Po më tha 17 (milionë)! Më tha 17 o zotëri.
Klevisi – Nuk e di ça ngatërrese ka zotëria.
Qytetari – Ngatërresa është se mua më ikin 10 milionë lekë më tepër. Ore Zotëri.
Eraldi – Një sekondë, një sekondë.
Qytetari – Zybua, lekët i ke marrë ti o zotëri.
Eraldi – Një sekondë o zotëri, do të vijë Zybua dhe kush i ka marrë lekët o mik.
Qytetari – Ore ti mos e quan se jam nga ata të kazanëve unë.
Eraldi – Do e sqarojmë shumë shpejt tani.
Qytetari – Ore nis ça të duash, po ti e quan se unë kam humbur rrugën dhe unë po sillem?
Eraldi – Ore po marr Zybon, i ka Zybua lekët ore! Ia kemi dhënë lekët Zybos.
Qytetari – Ia dhe lekët Zybos?
Eraldi – Po.
Qytetari – I ktheve 9 milionë e gjysëm lekë?
Eraldi – Zubos.
Qytetari – Ti ia ktheve?
Eraldi – I ka Zybua.
Qytetari – Ia ktheve apo jo?
Eraldi – Po, po, po.
Qytetari – Kur ia ktheve?
Eraldi – I ka Zybua.
Qytetari – 9 e gjysëm?
Eraldi – 9 e gjysëm. Ja do të vij tani.
Qytetari – Ia ktheve 9 e gjysëm?
Eraldi – Patjetër që po.
Qytetari – Po pse m’i more dje këto?
Eraldi – Ore unë t’i mora lekët ty ore, t’i mori Zybua lekët.
Qytetari – Ti tani the ja ktheva Zybos.
Eraldi – Ore një sekondë.
Klevisi – Ore se ça ka bërë Zybua me ty.
Qytetari – Ore ky thotë ia ktheva unë Zybos.
Eraldi – Një sekondë se po vjen.
Klevisi – Ta ka bërë Zybo.
Qytetari – Ore ai që ma ka fut do t’a hajë.
Eraldi – I ka lekët Zybua do të vijë tani.
Qytetari – Ky thotë ia kam kthyer unë Zybos. Ia ktheva unë Zybos thotë.
Klevisi – O vëlla, o vëlla. Ne të kemi thënë prona bën 7 milionë e gjysëm lekë në ankand. Ta kam thënë unë.
Qytetari – Mua më keni thënë 17 milionë lekë.
Eraldi – O ti se po vjen Zybua tani. Do t’i marrësh tani lekët në sy tonë!
Qytetari – Po ia dhe ti? Ia dhe dajos?
Eraldi – I mori dajua atje o vlla.
Qytetari – Ore lekët i more dhe ti.
Klevisi – Po, po dhe ky.
Eraldi – Po.
Qytetari – Ia dhe dajos?
Eraldi – Po.
Qytetari – Ia dhe sot?
Klevisi – Po.
Eraldi – Po.
Qytetari – Sot? Ia dhe sot lekët 9 milionë e gjysëm lekë?
Klevisi – Kujt?
Qytetari – Dajos.
Eraldi – O vëlla, i ka dajua lekët, s’i kam unë lekët.
Qytetari – Ok, ok. Ju na keni shtrydhur si limon.
Eraldi – Jo e ke gabim, e ke gabim.
Qytetari – Ju na keni shtrydhur si limon.
Eraldi – E ke shumë gabim.
Qytetari – O Zotëri, unë ju kam dhënë dje në lokal 9 milionë …
Eraldi – Ia ke dhënë dajos vlla, i ka daja lekët.
Qytetari – Po pse u takova me ju dje unë pastaj?
Eraldi – Ku di gjë unë!
Klevisi – Të takoj dajua ty me ne.
Eraldi – Të takoj dajua me këtë ty o Zotëri.
Qytetari – Ore ti, ato 9 milionë e gjysëm ia ka kthyer Zybos apo jo?
Eraldi – I ka Zybua vlla.
Qytetari – Ia ktheve apo jo?
Klevisi – I ka Zybua lekët.
Qytetari – Jo, ky i mori, i mori! Ore ju bëni si të doni me Zybon.
Klevisi – Me Zybon bën ti ore, se ti e ke ..
Qytetari – Jo, jo me Zybon bëni ju si të doni, matrapazllëqe si të doni ju. U kam ardhur dje, kemi pirë kafe 1, 2, 3. Po mirë dhe këtë gjë, më thatë që mos të vish në ankand ti se na prish punë, të vij Zybua.
Klevisi – Do t’a hajë …
Qytetari – Do t’a hajë ai që ka marrë këto lekët, nga ne të katërt.
Klevisi – Të thashë, apo të filloj të flasë më shumë unë!
Qytetari – 4 veta ishim!
Klevisi – Ky zotëria ka firmos, jo ky, prindërit ndoshta për një pronë. Me xhajën e vetë. I kena marrë lekët xhajës, pagoi lekët, i kemi marrë pronën që në …
Qytetari – 2008-ën.
Klevisi – 2018-ën është marrë prona. E kemi pas hedh në ankand. I kemi lajmëruar dhe s’ka ardhur njeri. Këtij zotërisë këtu përballë, as e njoh fare, i kam thënë zotëri, kur të kem unë ankand që t’a hedh pronën tënde, pronë e familjes tate, ik e blije. E di ti që mund të vijnë edhe njerëz të tjerë në ankand, mund të vijë vëllai jot. Siç më ka marrë ky mua për atë pronë më ka marrë dhe xhaja i këtij, kur t’a hedhësh më thuaj. Unë pronën e posedoj.

Në bisedë del mjaft qartë se, dy zyrtarët e bankës shtetërore, i morën qytetarit në datën 18 shkurt 2026 shumën prej 950 mijë lekësh (rreth 10 mijë euro) me qëllim që t’a shpallnin fitues të një ankandi për pronën në fshatin Picar të Gjirokastrës. Më pas, qytetari ka parë dokumentet, ku në to shkruhej se shuma e ankandit ishte 743 mijë lekë, dhe ka kontaktuar fillimisht me dajën e tij dhe me dy zyrtarët. Këta të fundit, të trembur nga ndonjë kallëzim i mundshëm i Tekiut, ia kthyen shumën.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB