U kapën në flagrancë me makinën e mbushur me pistoleta/ Këta janë tre të rinjtë që trafikonin armët nga Mali i Zi Pas një hetimi dy mujor, policia e Tiranës ka goditur një grup kriminal të përfshirë në trafikimin dhe shitjen e armëve të zjarrit.
Policia ka ndaluar një automjet në vendin e quajtur “Rrethi i Freskut”, dhe pas kontrollit rezultoi se ishin fshehur 6 armë zjarri (pistoleta SigSauer) të dyshuara të trafikuara nga Mali i Zi, me qëllim shitjen në këtë zonë.
Armët e zjarrit u sekuestruan bashkë me automjetin tip “Volkswagen” si dhe me 4 celularë.
Në pranga ranë Donati Jaku 31 vjeç, banues në Shkodër dhe Florian Gjeta, 22 vjeç, banues në fshatin Domje.
Policia njofton se vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetime për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Top Channel