Sërish sirena alarmi në Akrotiri të Qipros, autoritete thirrje banorëve: Tregoni kujdes të shtuar, ekziston kërcënim i vazhdueshëm për sigurinë
Dimensioni rajonal i sulmeve hakmarrëse të Iranit kundër shteteve arabe dhe myslimane po bëhet gjithnjë e më i dukshëm pas shpërthimit të konfliktit, duke u kthyer në një pikë kyçe për rezultatin e luftës dhe për ekuilibrat e rinj të fuqisë që po formohen në Lindjen e Mesme.
Ndryshe nga parashikimet fillestare, Teherani duket se ka zgjeruar ndjeshëm perimetrin e hakmarrjes së tij. Përveç objektivave politike dhe ushtarake, sulmet iraniane kanë vënë në shënjestër edhe infrastrukturë strategjike, si aeroportet, njësitë hoteliere dhe objektet e përpunimit të naftës, duke rritur ndjeshëm rrezikun për ekonominë rajonale.
Sipas analistëve, strategjia e Iranit shkon përtej bombardimit të thjeshtë të bazave amerikane në vendet fqinje. Pavarësisht lidhjeve fetare që bashkojnë Teheranin me shumicën e vendeve të Gjirit Persik përmes Islamit, Irani – përfaqësues i fuqishëm i Islamit shiit – duket se po përballet drejtpërdrejt me “harkun sunit” të shteteve të Gjirit.
Sulmet kanë prekur vendet anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), me një fokus të veçantë ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe. Pavarësisht bombardimeve të njëpasnjëshme me raketa balistike dhe dronë, vendet e GCC janë bashkuar, duke forcuar bashkëpunimin në mbrojtjen kundër raketave dhe dronëve iranianë, edhe pse më parë kishin pasur mosmarrëveshje mes tyre.
Sulmet ndaj botës arabe duket se kanë surprizuar edhe presidentin e SHBA-së, Donald Trump. Duke folur për CNN, ai i cilësoi goditjet iraniane në Gjirin Persik si “surprizën më të madhe” të konfliktit deri tani, duke theksuar se vendet e Gjirit pritej të kishin një përfshirje minimale, ndërsa tani po insistojnë të jenë pjesë e zhvillimeve.
Në rastin e Emirateve të Bashkuara Arabe, situata konsiderohet edhe më e papritur, pasi Abu Dhabi dhe Teherani kishin ndërtuar një marrëveshje joformale për të shmangur përballjen e drejtpërdrejtë, për shkak të interesave të forta ekonomike që Irani ka në Dubai. Megjithatë, Emiratet janë goditur me raketa balistike dhe dronë, duke treguar se Teherani po synon të dërgojë një mesazh të fortë në rajon.
Analistët vlerësojnë se përmes këtyre sulmeve Irani synon të dëmtojë imazhin e Gjirit si një zonë e sigurt për biznesin dhe turizmin. Qendra si Dubai, e njohur për rolin e saj në ekonominë dhe turizmin rajonal, tashmë ndodhet nën kërcënim të drejtpërdrejtë.
Në të njëjtën kohë, ekziston frika se përshkallëzimi i konfliktit mund të ndikojë edhe në ekonominë globale, pasi infrastruktura e naftës dhe Ngushtica e Hormuzit mbeten objektiva të mundshëm për sulme.
Sipas ekspertëve, Irani po zbaton një “strategji kaosi”, duke ushtruar presion mbi të gjitha shtetet e Gjirit për t’i detyruar të zgjedhin qartë një kamp në konflikt. Edhe sulmi ndaj Omanit, një vend që tradicionalisht ka luajtur rol ndërmjetësues në rajon, interpretohet në këtë kuadër.
Megjithatë, reagimi i vendeve të Gjirit ka qenë i bashkuar. Gjashtë anëtarët e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit – Arabia Saudite, Kuvajti, Katari, Bahreini, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Omani – zhvilluan një takim të përbashkët, ku shprehën solidaritet dhe u zotuan të marrin të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sigurinë dhe stabilitetin e tyre, si dhe territorin dhe qytetarët e tyre, duke lënë të hapur edhe mundësinë e reagimit ndaj agresionit.
Top Channel