Derbi i fundit mes Milanit dhe Interit ka rihapur diskutimet për garën e titullit në Serie A.

Para ndeshjes diferenca ishte 10 pikë dhe mund të shkonte në 13 nëse Interi do të fitonte, por suksesi i Milanit e uli diferencën në shtatë pikë, duke rikthyer debatet mes tifozëve për skenarët deri në javën e 38-të.

Një nga hipotezat që po diskutohet është ajo e barazimit me pikë në fund të sezonit. Nëse dy skuadrat do ta mbyllnin kampionatin me të njëjtin numër pikësh, titulli nuk do të vendosej nga golavarazhi, por nga një ndeshje play-off, një përballje shtesë që do të përcaktonte kampionin e Italisë.

Nga sezoni i kaluar rregullorja ka ndryshuar: ndeshja nuk zhvillohet më në fushë neutrale, por në stadiumin e skuadrës që ka rezultatin më të mirë në përballjet direkte gjatë sezonit.

Në sezonin 2025/26 kjo do të thotë se një play-off mes Milanit dhe Interit do të luhej në San Siro, por formalisht si Milan-Inter, pasi kuqezinjtë kanë fituar të dy derbit e këtij sezoni dhe do të konsideroheshin skuadra pritëse.

Në rast barazimi pikësh në krye të renditjes, kriteret për të përcaktuar se kush luan në shtëpi në play-off janë:

Rezultati në përballjet direkte;

Diferenca e golave në ndeshjet direkte;

Diferenca e përgjithshme e golave në kampionat;

Numri i golave të shënuar në kampionat;

Shorti, nëse të gjitha kriteret e tjera janë të barabarta.

Me disa javë ende për t’u luajtur, gara për titullin në Serie A mbetet e hapur dhe tifozët e dy skuadrave milaneze po llogarisin çdo skenar të mundshëm deri në fund të sezonit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB