Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës një tjetër problematikë me faturimin e energjisë elektrike, ku një qytetar nga Berati del debitor në vitin 2026, megjithëse banesa iu prish nga vetë shteti në vitin 2023.
Jorgo Baci ankohet në redaksinë e emisionit investigativ se në vitin 2023 i është shembur banesa 3 katëshe që e kishte me letra në fshatin Moravë në Berat, për shkak të zgjerimit Aeroportit Ushtarak të Kuçovës, në të cilën u vendos edhe baza e NATO-s.
Ai thotë se ka marrë një dëmshpërblim prej 6 milionë lekësh, ndërkohë që arsyeja që i është drejtuar Fiksit është për shkak se, në momentin e demontimit të banesës, në muajin shkurt të vitit 2023, i kanë shkuar punonjësit e OSHEE-së dhe i kanë hequr matësin. Deri në atë kohë s’ka pasur asnjë detyrim të prapambetur. Më pas, ka shkuar në zyrat e OSHEE në Berat dhe ka bërë kërkesë për mbylljen e kontratës, ku në dokument shkruhet se “mbyllje kontrate për arsye ‘investim i NATO-s”.
Jorgo ka menduar se i mbylli të gjitha detyrimet dhe ka vijuar jetën. Më pas, me paratë e pakta nga dëmshpërblimi, familja e tij bleu një apartament në qytetin e Beratit. Do të kalonte kontratën e dritave nga pronari i firmës në emrin e tij. Ka mësuar nga punonjësit se ka qenë debitor, pikërisht për kontratën e banesës në fshatin Moravë! Ka shkuar disa herë dhe i kanë thënë se kontrata është mbyllur, por jo në muajin shkurt 2023, por në muajin nëntor të vitit 2023. Gjatë këtyre muajve ka pasur detyrime, të cilat duhet t’i paguajë.
Ai ka mësuar nga OSHEE në Berat se s’mund të bëjë asnjë ankesë, për shkak se sistemi s’ia lejonte. “Ndaj ju drejtova Fiks Fare, se s’bëj dot asnjë ankesë dhe as hap kontratë të re. Më kanë mbajtur ‘peng’. Ç’punë kam punë me ato detyrime, mua mu prish shtëpia dhe tani më thonë ke detyrime?! Shteti ka detyrime ndaj meje dhe jo unë ndaj tyre” pohon ai, teksa shton se s’ka pyetur asnjëherë se sa është shuma. “Qoftë edhe 1 qindarkë, përse duhet ta paguaj?!” pohon ai.
Pas ankesës, qytetari interesohet te kujdesi ndaj klientit në Berat dhe i thonë se i kanë kërkuar drejtorisë së OSHEE në Berat që të marrë kontakte me zyrat qendrore në Tiranë. Punonjëset i thonë se, megjithëse ke ardhur disa herë, s’i japin dot zgjidhje dhe se duhet t’a paguash këtë detyrim.
Bashkë me Jorgon, grupi i Fiks Fare shkon në zyrat e OSHEE në Berat dhe takojnë përgjegjësin e shitjeve, Kozma Pushi. Kozmai bën disa telefonata, me shefat e tij në Berat dhe në Tiranë, dhe në fund thotë se, pas shumë sorollatjesh i kanë dhënë dritën jeshile që Jorgo të bëjë ankesën dhe më pas shuma që ai është debitor të zërohet.
“Ka ardhur disa herë, e kuptojmë situatën dhe vetëm sot, tani, më dhanë aprovimin për të ndërhyrë. Do t’ia zgjidhim, por fillimisht do të bëjë një ankesë dhe më pas do të ndërhyjmë” thotë Kozmai. Fiksi e pyeti se si ka mundësi që këto detyrime i kanë shkuar, duke qenë se kontratën e mbylli në shkurt 2023. Ai thotë se, kur mbyllet një kontratë ka disa hapa, zyrat e kujdesit ndaj klientit, drejtoria, FSHU, zyrat qendrore etj. Pra, kanë qenë veprimet burokratike, tepër të vonuara, që kanë sjellë këtë situatë!
Në fund, grupi i Fiks Fare, shefi i shitjeve në OSHEE dhe vetë qytetari Jorgo Baci, shkojnë nga drejtoria e OSHEE drejt pikës së kujdesit të klientit, ku Jorgo do të bënte kërkesën. Pas disa minutash, Jorgo del nga zyra dhe falënderon emisionin Fiks Fare që vuri në lëvizje këto zyra. Gjithashtu, edhe punonjësi i OSHEE tha për Fiks Fare se tani qytetari do të bëjë disa veprime dhe kontrata e re do të hapet në emrin e tij.
Top Channel