Akuzohet për pastrim parash, i kapen mbi 54 mijë euro në makinë dhe në banesë, arrestohet 67-vjeçari në Berat

09/03/2026 14:55

Një 67-vjeçar në Berat ka rënë në pranga pasi është kapur me mbi 54 mijë euro dhe disa shuma valutash të tjera.

Blutë bëjnë me dije se 67-vjeçari dyshohet për veprën penale “pastrim parash”. Sakaq pas kontrollit fizik në automjetin dhe banesën e tij janë sekuestruar 54 890 euro, 2020 paund, 1850 dollarë dhe 2850 franga, si dhe 1 automjet dhe 1 aparat celular.

Njoftimi i policisë:

Goditet një rast i dyshuar i pastrimit të produkteve të veprës penale. Finalizohet operacioni policor i koduar “Produkti”.

Sekuestrohen 54 890 euro, 2020 paund, 1850 dollarë dhe 2850 franga, si dhe 1 automjet dhe 1 aparat celular.

Arrestohet 67-vjeçari që posedonte këto shuma monetare.

Si rezultat i një pune hetimore të kryer mbi bazën e informacioneve të siguruara, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DVP Berat finalizuan operacionin policor të koduar “Produkti”, në kuadër të të cilit u godit një rast i dyshuar në fushën e pastrimit të produkteve të veprës penale.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi K. K., 67 vjeç, banues në Berat.

Nga kontrollet e ushtruara nga shërbimet e Policisë, në automjetin dhe në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 54 890 euro, 2020 paund, 1850 dollarë dhe 2850 franga, shuma monetare që dyshohet se rrjedhin nga veprimtari të kundërligjshme, si dhe 1 automjet dhe 1 aparat celular.

Vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të implikuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB