Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, rrezikon një pezullim me dy ndeshje pas kartonit të verdhë që mori në ndeshjen e FA Cup kundër Newcastle United.

Guardiola humbi qetësinë gjatë pjesës së dytë të fitores 3-1 në St. James’ Park, teksa protestoi ndaj gjyqtarëve për një ndërhyrje të Kieran Trippier ndaj lojtarit të tij Jérémy Doku. Trajneri spanjoll u përball me zyrtarin e katërt Lewis Smith dhe më pas u ndëshkua me karton të verdhë nga arbitri Sam Barrott.

Pas përfundimit të ndeshjes, stafi i City-t u detyrua ta tërhiqte Guardiolën larg zyrtarëve të ndeshjes.

Sipas rregullave të reja të këtij sezoni në Premier League, trajnerët pezullohen pasi marrin tre kartonë të verdhë, ndërsa kufiri për një pezullim me dy ndeshje është ulur nga tetë në gjashtë kartonë – shifër që Guardiola e ka arritur tashmë këtë sezon. Ky pezullim zbatohet edhe për ndeshjet e FA Cup.

Nëse konfirmohet pezullimi, Guardiola nuk do të jetë në stol për ndeshjen e ardhshme të kampionatit ndaj West Ham United dhe për sfidën çerekfinale të FA Cup.

Duke shpjeguar reagimin e tij, tekniku i City-t tha se po mbronte lojtarin e tij. “Kur Doku kalon Trippier, shkon drejt zonës dhe tërhiqet nga pas, nuk po kërkoj karton të verdhë, por është faull. Do ta mbroj gjithmonë skuadrën time”, u shpreh Guardiola.

Ai shtoi me ironi se tashmë ka një tjetër rekord: “Në këtë vend kemi thyer çdo rekord, edhe atë të trajnerit me më shumë kartonë të verdhë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB